
Aleanca për Shqiptarët: Ku mbetën premtimet e VLEN-it për mërgatën?
Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ndaj, siç thotë, “dështimit të qeverisë VLEN për të realizuar premtimet e dhëna mërgatës shqiptare”, transmeton Flaka Media
“Gjatë fushatave zgjedhore, VLEN i kushtoi rëndësi të veçantë mërgatës shqiptare, duke premtuar garantimin dhe lehtësimin e votimit sipas modeleve evropiane, eliminimin e deputetëve të diasporës dhe përfshirjen e votuesve jo-rezidentë në listat e brendshme. Po ashtu, u premtua krijimi i Ministrisë së Diasporës me buxhet të veçantë, përfshirja e kuadrove nga mërgata në kabinetin qeveritar dhe administratë, si dhe lehtësira tatimore e subvencione për kthimin e mërgimtarëve dhe hapjen e bizneseve në vend.”
Sipas Aleancës, pas më shumë se një viti e gjysmë qeverisjeje, këto zotime kanë mbetur vetëm në letër.
“A është kthyer ndonjë mërgimtar përmes masave të premtuara, apo, përkundrazi, është shtuar numri i atyre që e kanë lëshuar vendin? Pse nuk është themeluar ende Ministria e Diasporës dhe pse nuk janë përfshirë kuadro nga mërgata në nivele vendimmarrëse?” pyet partia opozitare.
Në reagim, Aleanca për Shqiptarët shtron edhe çështjen e pjesëmarrjes së diasporës në zgjedhjet lokale.
“A po rrezikon mërgata të mos marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale, duke qenë se qeveria nuk ka tërhequr vendimin për fshirjen e saj nga listat zgjedhore dhe për zvogëlimin e numrit të këshilltarëve komunalë, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese?”
Sipas Aleancës, mërgata shqiptare ka dhënë shumë për vendin – me punë, remitanca dhe kontribut të pandërprerë – prandaj premtimet ndaj saj “nuk guxojnë të mbeten të pambajtura”.
“Aleanca për Shqiptarët kërkon nga VLEN që të japë llogari dhe të zbatojë angazhimet e ndërmarra para qytetarëve.” Flaka Media