Çavi Hernande decid: Më 30 qershor largohem nga klubi
Trajneri i Barcelonës, Çavi Hernandez, foli pas ndeshjes “dramatike” ndaj Viljareal-it, të përfunduar në shifrat 5-3 në favor të “nëndetëses së verdhë”. Tekniku lajmëroi se në fund të sezonit do të largohet nga Barcelona.
“Më 30 qershor do të largohem nga klubi. Është një vendim që e kemi diskutuar me presidentin, me stafin… Barça ka nevojë për një ndryshim drejtimi”, tha Xavi lidhur me këtë vendim.
Më tej, Çavi pretendon një penallti në favor të “blaugranave” në momentin që sfida ishte në barazim 3-3. Ai u pa i irrituar përpara kamerave në momentin e hyrjes së sistemit “VAR” në momentin e penalltisë.
“Nuk dua të krijoj më përplasje, kemi sigurisht edhe gabimet tona, por na u mohua një penallti. Arbitri i katërt ishte në një mendim me mua. Skuadra është shumë e rënduar emocionalisht, por sapo kemi dal nga një situatë shumë e vështirë si klub” deklaroi Çavi.
Më tej, 44-vjeçari foli dhe për lojën e skuadrës, ku e pranoi se ka shumë aspekte për të përmirësuar, sidomos në repartin e mbrojtjes.
“Problemet tona nisin kur ne humbasim topin, kur kemi gjithçka në dorën tonë nuk dimë të mbyllim ndeshjen. Kemi mungesë përqendrimi në mbrojtje, disa lojtarë janë ende të rinj dhe duan kohën e tyre për t’u përmirësuar. Sonte jam shumë i zhgënjyer, ishim mirë në pjesën e dytë, por më pas humbëm gjithçka. Është një ditë e vështirë për futbollistët, por edhe për mua si trajner,” mbylli reagimin e tij tekniku katalanas.
Pas kësaj humbje, Barcelona humbet edhe më shumë terren në renditje ndaj Realit, teksa tani diferenca ndaj “Los Blancos” është në -10.