
Liburn Aliu dhe fundi i një rrugëtimi me Vetëvendosjen
Dorëheqja e Liburn Aliut nga posti i Ministrit në Qeverinë në detyrë, nuk është largim i zakonshëm.
Ai është një anëtar senior i Vetëvendosjes. Vite me radhë ka qenë një nga figurat më me peshë.
Liburn Aliu është prej themeluesve të partisë dhe ka qenë aktiv që nga ditët e para të VV-së si lëvizje.
Ka qenë deputet i zëshëm në parlament dhe militant i devotshëm në rrugë, duke u vënë gjithmonë në ballë të protestave, e shpeshherë edhe duke u konfrontuar fizikisht me policinë.
Ai është ish-anëtar i LKÇK-së, ish- i burgosur politik.
Ka qenë deputet në të gjitha legjislaturat që nga viti 2010, përveç kësaj të fundit, ku nuk garoi në listë.
Po ashtu ka shërbyer si Ministër i Qeverisë Kurti në dy raste: Kurti 1 dhe Kurti 2.
Gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes në Prishtinë kishte qenë Drejtor i Urbanizmit.
Në zgjedhjet e fundit partiake ai nuk është bërë anëtar i kryesisë.
Duket që zgjedhja e Dimalit ka qenë pika ku është mbushur kupa dhe e ka parë si moment të përshtatshëm për ta kumtuar largimin e tij.
“Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, shkroi ai në platformën sociale Facebook.
Dimal Basha është zgjedhur dje kryetar i Kuvendit të Kosovës edhe me votat e PDK-së e AAK-së. Basha nuk është gardë e vjetër e Vetëvendosje dhe është parë si një prej deputetëve me gjuhën më përçmuese ndaj mediave, shoqërisë civile dhe opozitës.
Largimi i Liburn Aliut duket se nuk është vetëm largim nga Qeveria. Por, fundi i një rrugëtimi të tij me Vetëvendosjen.
Me largimin e tij, i bashkohet listës së gjatë së shokëve të Kurtit që lanë partinë ndër vite, duke e ngushtuar edhe më shumë rrethin e këtij të fundit./Marre nga Voxkosova/