
Jakupi: Mjaft me premtime boshe – uji, rrugët dhe shkollat janë detyrë, jo monedhë për vota
Arben Jakupi ka reaguar ashpër ndaj fushatave elektorale që, sipas tij, vazhdojnë të bazohen në premtime të përsëritura për çështje bazike si uji, rrugët dhe shkollat.
Jakupi thekson se këto nuk duhet të trajtohen si favore politike, por si detyra minimale të çdo kryetari komune. “Asnjë qytetar nuk duhet të presë zgjedhjet për të pasur ujë të pijshëm. Asnjë prind nuk duhet të presë një fushatë që fëmija i tij të mësojë në shkollë të sigurt. Asnjë banor nuk duhet të shpresojë tek fjalët e një kryetari për të pasur rrugë të kalueshme,” shprehet ai.
Sipas tij, kushdo që e sheh infrastrukturën bazë si monedhë për vota, nuk i shërben qytetarëve, por interesave të veta politike. Jakupi bën thirrje që qytetarët të mos kënaqen me duartrokitje, por të kërkojnë me zë të lartë llogari nga udhëheqësit.
Ai nënvizon se një kryetar i kohës sonë duhet të ecë me standardet e shekullit XXI, duke ofruar shërbime digjitale, transparencë dhe efikasitet, sikurse ndodh në qytetet europiane. “Është koha që komunat tona të funksionojnë me standarde moderne dhe jo të mbeten peng i premtimeve të së shkuarës,” përfundon Jakupi.