
Blerant Ramadani: Sulmet ndaj Shqipërisë përputhen me narrativat përçarëse të qarqeve antishqiptare
Blerant Ramadani, sekretar gjeneral i ASH-së ka reaguar ashpër pas deklaratave denigruese të përfaqësuesit të qeverisë së Maqedonisë së Veriut ndaj Tiranës zyrtare, duke i cilësuar ato të papranueshme dhe në kundërshtim me etikën institucionale.
Rexhepi theksoi se posti i Koordinatorit Kombëtar për Komunikim dhe Media pranë Qeverisë nuk është privilegj për propagandë politike, por një përgjegjësi serioze shtetërore.
“Të mbash postin e Koordinatorit Kombëtar për Komunikim dhe Media pranë Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk është privilegj personal për propagandë politike, por një përgjegjësi institucionale që kërkon përmbajtje, integritet dhe respekt ndaj standardeve të komunikimit shtetëror,” tha Rexhepi.
Ai paralajmëroi se sulmet ndaj Shqipërisë përputhen me narrativat përçarëse të qarqeve antishqiptare.
“Deklaratat denigruese të përfaqësuesit të qeverisë ndaj Tiranës zyrtare, që rezonojnë me narrativat e deformuara të ‘botës serbe’ dhe retorikës përçarëse të VMRO-së, përbëjnë një shkelje flagrante të etikës institucionale dhe hedhin hije të rënda mbi orientimin e vërtetë politik të vetë qeverisë,” u shpreh ai.
Duke e konsideruar këtë sjellje si të dëmshme për imazhin e vendit, Rexhepi theksoi se funksionet shtetërore duhet të mbeten platforma për bashkëpunim dhe jo për hakërrime provinciale.
“Funksionet shtetërore nuk janë podium për hakërrime personale provinciale. Ato janë platforma për ndërtimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore, për bashkëpunim dhe për promovimin e vlerave demokratike. Kush i përdor për të kundërtën, nuk përfaqëson as qytetarin, as institucionin, por vetëm një axhendë personale jashtë çdo kornize shtetërore dhe europiane,” deklaroi Rexhepi.