
Aleanca për Shqiptarët: Maqedonia e Veriut me dy këmbë në “Botën Serbe” për shkak të VLEN-it
Aleanca për Shqiptarët (ASH) e Arben Taravarit, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministrit serb të mbrojtjes Bratislav Gashiq dhe anëtares së qeverisë së Serbisë, Milica Gjurgjeviq Stamenkovski, të bëra në Kajmakçallan, duke i quajtur ato mesazhe politike të rrezikshme për rajonin dhe për Maqedoninë e Veriut.
“Deklaratat e fundit nuk janë thjesht kujtesë historike, por një mesazh politik me ngarkesë të qartë aktuale: krijimi i ‘unitetit të popullit serb’ kudo që jeton. Kjo retorikë është e rrezikshme për rajonin dhe për Maqedoninë e Veriut në veçanti, sepse e vendos vendin tonë në orbitën e projektit famëkeq të ‘Botës Serbe’,” thuhet në reagimin e ASH-së.
Sipas kësaj partie, përgjegjësia bie mbi qeverinë aktuale.
“Fatkeqësisht, qeveria e VMRO-DPMNE-së bashkë me vazalët e saj të VLEN-it, me heshtjen dhe nënshtrimin e tyre politik, e kanë futur Maqedoninë e Veriut me të dyja këmbët në këtë ‘Botë Serbe’. Duke mos reaguar dhe duke pranuar imponimin e narrativave nacionaliste nga Beogradi, ata po e bëjnë vendin tonë pjesë të një projekti që mohon identitetin dhe sovranitetin e qytetarëve tanë,” thekson ASH.
Aleanca për Shqiptarët e bën të qartë se Maqedonia e Veriut nuk mund të shndërrohet në “portë të lirisë” për planet hegjemoniste të Serbisë.
“Maqedonia e Veriut nuk është dhe nuk mund të bëhet kurrë ‘portë e lirisë’ për ushtritë dhe planet hegjemoniste të Serbisë. Qytetarët shqiptarë dhe të gjithë ata që besojnë në një shtet evropian duhet të kuptojnë se rruga jonë është drejt Perëndimit dhe Bashkimit Evropian, jo kthim pas në skenarë të rrezikshëm të shekullit të kaluar,” nënvizon partia.
ASH kërkon reagim të menjëhershëm nga diplomacia maqedonase:
“Ne i bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Jashtme që të reagojë qartë dhe pa ekuivoke ndaj këtyre deklaratave provokuese, në vend që të heshtë nga frika e prishjes së raporteve me Beogradin. Sovraniteti i Maqedonisë së Veriut dhe qetësia ndër-etnike nuk mund të jenë monedhë shkëmbimi në pazaret politike të VMRO-së dhe vasalëve të saj.”
Në përfundim, ASH siguron qytetarët se do të mbetet në vijë të drejtë euro-atlantike.
“Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të qëndrojë fuqishëm kundër çdo përpjekjeje për të zhbërë orientimin euro-atlantik të Maqedonisë së Veriut dhe për ta shndërruar vendin në pjesë të ‘Botës Serbe’,” përfundon reagimi.