
Një tjetër përkrahje nga Evropa për Bujar Osmanin, këtë herë nga Italia: „Mik i madh i Evropës“
Ish-ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, përmes një video-mesazhi ka shprehur mbështetje të fuqishme për kandidaturën e Bujar Osmanit për kryetar të Komunës së Çairit.
Në një mesazh emocional dhe të ngrohtë, Di Maio e përshkroi Osmanin si një mik të madh të Evropës dhe një politikan të respektuar:
„Ne kemi qenë ministra të Jashtëm bashkë, kemi shërbyer bashkë. Para së gjithash, Bujari është mik i madh i Evropës dhe i Bashkimit Evropian. Ai është shumë i respektuar në Evropë. Më kujtohen shumë mirë përpjekjet e tij për të forcuar marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, si dhe ambiciet e tij për ta afruar gjithnjë e më shumë vendin drejt anëtarësimit.“
Ai theksoi edhe rolin e Osmanit në forcimin e lidhjeve me Italinë:
„Ti je mik i madh i Italisë. Ne kemi punuar shumë bashkë për t’i afruar vendet dhe popujt tanë. Më kujtohen fjalët e tua plot krenari për diasporën dhe për rëndësinë e qytetarëve të të dy vendeve në forcimin e lidhjeve mes kombeve dhe qeverive tona.“
Në fund, Di Maio dha një dëshmi personale dhe një mbështetje të hapur:
„Ti je mik shumë i mirë imi, sepse je politikan i besueshëm. Të uroj shumë sukses në sfidën e re. Jam i bindur se njerëzit seriozë, të aftë dhe mbrojtës të fortë të qytetarëve të tyre gjithmonë do të kenë mbështetje, herët ose vonë, në çdo garë politike. Suksese me kandidaturën, suksese qytetarëve të tu dhe vendit tënd.“
Pas këtij mesazhi, Bujar Osmani falënderoi publikisht mikun e tij italian:
„Faleminderit mikut tim Luigi Di Maio, ish-Ministër i Jashtëm i Italisë. Kjo mbështetje e sinqertë kujton tri gjëra që i duhen Çairit: Evropë që na respekton, Itali me të cilën ndërtojmë partneritet, dhe diasporë që na lidh. Le t’i kthejmë këto ura në mundësi të shumta, konkrete, për Çairin tonë, për fëmijët tanë.“
Me këtë mbështetje, kandidatura e Bujar Osmanit merr një dimension ndërkombëtar, duke u prezantuar si mundësi e re për qytetarët e Çairit dhe për vendin.