
Kosovën nuk e rrezikon ‘antiamerikanizmi’ i Kurtit, por proamerikanizmi i hajdutëve të saj!
AA
Nga Kim Mehmeti
Është e dukshme se kundërshtarët e Albiniit i ka gëzuar lajmi se Amerika e ka pezulluar përkohësisht dailogun strategjik me Kosovën, e çka tregon se urrejtja e tyre ndaj Kryeministrit në detyrë është më e madhe se dashuria ndaj vendit ku veprojnë.
Në të vërtet drejtuesit partiak që iu gëzuan këtij lajmi as që e kuptojnë se problemi i Kosovës nuk është si ajo do bisedojë me të tjerët, por pse ajo e ndërpreu dialogun me vetveten dhe për të mirën e vetvetes.
Sa i përket dialogut me Amerikën mbase edhe Trampit do i shkaktonte të vjella e vërteta se proamerikanë më të devotshëm të Kosovës janë disa politikanë që grumbulluan pasuri thuajse poaq saç ka Presidenti amerikan edhe atë duke pasur vetëm një vlerë – proamerikanizmin me të cilin e mbulonin hajdutërinë dhe zhvatjen e popullit të vet.
Po pra, shumë kundërshtarë të Kryeministrit në detyrë të Kosovës i gëzoi lajmi se Amerika nuk don më të bisedojë me Kurtin. Të tillët besojnë se vetëm kështu dobësohet Lëvizja Vetëvendosje dhe se vetëm me ndihmën e të huajve ata do mund të bëhen të pranueshëm për popullin e vet?!
Por ndërkohë duke harruar se nëse proamerikanizmin e Kosovës do e mbrojnë ish burrështetasit e saj që ndërtuan me dhjetëra shtëpi dhe ‘blenë’ pa para me qindra hektarë tokë, pra ata që dinin të ndërtojnë vila milionëshe për vetveten, por jo edhe institucione shtetërore që do e konsolidojnë shtetin, atëherë Kosova do vazhdojë të mos e kuptojë se atë nuk e rrezikon ‘antiamerikanizmi’ i Kryeministrit në detyrë, por proamerikanizmi i hajdutëve të saj, e të cilët i rrezikon Kurti. (Kim Mehmeti)