
Aleanca Kombëtare për Integrim dorëzoi kandidaturat në Gostivar: Bashkim për fitore më 19 tetor
Koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) ka dorëzuar sot zyrtarisht kandidaturën për kryetar komune dhe listën e këshilltarëve në Komisionin Komunal Zgjedhor në Gostivar.
Para dorëzimit, kandidati për kryetar komune, Valbon Limani, dhe bartësi i listës për këshilltarë komunalë, Valdet Xhaferi, u takuan me mbështetësit para Pallatit të Kulturës dhe më pas ecën së bashku drejt zyrës së KKZ-së, duke dhënë mesazhin e bashkimit dhe vendosmërisë për fitoren në zgjedhjet e 19 tetorit.
“Shumë shpejt do të fillojmë prezantimin e platformës dhe programit të koalicionit para qytetarëve të Gostivarit. Falënderoj të gjitha strukturat për angazhimin dhe përkrahjen e deritanishme,” u shpreh Limani pas dorëzimit të kandidaturave.
Nga ana e tij, bartësi i listës për këshilltarë, Valdet Xhaferi, tha se kjo është një ditë e veçantë për qytetin:
“Shqiptarët po bashkohen për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Lista jonë përbëhet nga profesionistë dhe persona me integritet të lartë nga fusha të ndryshme të jetës publike e profesionale,” deklaroi ai.
Limani dhe Xhaferi ngritën gjithashtu shqetësimin se lista është dorëzuar me 23 kandidatë, për shkak se qeveria nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ndalon ndarjen diskriminuese të banorëve në “rezidentë” dhe “jo-rezidentë”, duke i kushtuar Gostivarit 8 ulëse më pak në këshillin komunal.
Koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim – AKI shpreh bindjen se qytetarët e Gostivarit do të mbështesin fuqishëm këtë bashkim politik dhe se më 19 tetor procesi zgjedhor do të mbyllet në raundin e parë me një fitore të madhe për qytetin dhe të ardhmen e tij.