
Mexhiti në Teneqe Mahallë të Çairit: Politika e vërtetë bëhet me njerëzit
Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, u mirëprit sot nga banorët e Teneqe Mahallës, një nga lagjet më të vjetra dhe karakteristike të Shkupit.
Mexhiti theksoi se politika e vërtetë nuk bëhet në zyrë, por në terren, pranë qytetarëve.
“Edhe sot jam në Teneqe Mahallë, në mesin e banorëve, për të dëgjuar zërin e tyre, për të ndarë idetë dhe vizionin tonë, si dhe për t’i informuar për investimet që tashmë kemi sjellë dhe ato që do të realizojmë së bashku. Unë besoj fuqishëm se politika e vërtetë bëhet në terren, me njerëzit, dhe se fuqia për ndryshim lind nga besimi dhe bashkëpunimi me qytetarët. Kjo është qasja jonë: të qeverisim bashkë me njerëzit, për njerëzit. Vetëm për ty, Çairi im!”, u shpreh Mexhiti.
Ai nënvizoi se çdo investim që është bërë apo që do të realizohet në Çair ka një synim të qartë – përmirësimin e jetës së qytetarëve.
“Çdo investim ka një qëllim: ta bëjë jetën e qytetarëve më të lehtë, më dinjitoze dhe më të sigurt,” tha ai.
Gjatë takimit, Mexhiti ndau me banorët informacion mbi projektet tashmë të realizuara dhe prezantoi planet e reja që, siç u shpreh ai, do të ndërtohen me përfshirjen dhe kontributin e të gjithëve.
“Qeverisja duhet të jetë gjithmonë bashkë me njerëzit, për njerëzit. Vetëm me bashkëpunim mund të arrihen rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme,” shtoi ai.
Në fund, kandidati i VLEN-it ftoi banorët e Çairit që të kontribuojnë aktivisht në zhvillimin e komunës, duke përsëritur se angazhimi i tij për të ardhmen e Çairit është i palëkundur.
“Së bashku mund të realizojmë një të ardhme më të ndritur për të gjithë,” përfundoi Mexhiti.