
Tetovë: Kandidatura e Albi Qamilit nga VLEN nxit reagime – Akuzohet për propagandë të zezë dhe përfitime nga Komuna
Kandidatura e Albi Qamilit si bartës i listës së koalicionit VLEN në Tetovë ka nxitur reagime të ashpra, sidomos nga krahu i Ziadin Selës në Aleancën për Shqiptarët, të cilët e kanë cilësuar këtë vendim si “fyerje për qytetarët e Tetovës”.
Sipas një reagimi zyrtar të degës së ASH-së në Tetovë, Albi Qamili njihet si “shef i profileve të rreme dhe propagandës së zezë në rrjetet sociale”, që sipas tyre janë përdorur për të “ofenduar, shpifur dhe diskredituar çdo oponent politik dhe zë kritik ndaj Bilall Kasamit dhe Lëvizjes Besa”.
“VLEN ka fyer edhe zyrtarisht Tetovën dhe tetovarët, duke kandiduar në krye të listës shefin e fake profileve që fyejnë dhe shpifin ndaj kujtdo që kritikon Bilall Kasamin”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Përveç akuzave për propagandë online, së fundmi në disa media janë publikuar pretendime për një skandal financiar që përfshin një restorant të lidhur me Qamilin, i cili dyshohet se ka përfituar mijëra euro nga Komuna e Tetovës përmes faturave për dreka dhe darka zyrtare.
“A është kjo një formë shpërblimi për shërbimet në propagandë, apo bëhet fjalë për një skemë të përfitimeve të ardhshme që do të kalojnë nga mijëra në qindra mijëra euro?”, pyet në mënyrë retorike ASH në komunikatën e saj.
Kandidatura e Qamilit vjen në një kohë kur fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale në Tetovë po hyn në fazën vendimtare, dhe kritikat ndaj përzgjedhjeve të kandidatëve po bëhen gjithnjë e më të zëshme.
Deri më tani, as VLEN dhe as Albi Qamili nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare në lidhje me këto akuza.