Blerant Ramadani reagon për bullizmin: “Një vajzë 13-vjeçare nuk e meritonte këtë tragjedi
Kandidati për kryetar komune, Blerant Ramadani, ka reaguar me një postim prekës në rrjete sociale lidhur me fenomenin e bullizmit dhe pasojat tragjike që po merr ky problem në shoqërinë tonë.
Në mesazhin e tij, Ramadani ka theksuar se bullizmi nuk është më një çështje e vogël apo një “lojë mes fëmijësh”, por një plagë e kohës që po shkatërron jetën e shumë të rinjve.
“Një vajzë vetëm 13 vjeç, nuk e meritonte që jeta t’i shuhej kaq shpejt. Është koha të ndalemi dhe të mësojmë fëmijët tanë disa të vërteta të thjeshta, por jetike: jo të gjithë kanë mundësi të njëjta materiale; çdo fëmijë është unik në pamje dhe karakter; duhet të dimë të kursejmë dhe të vlerësojmë atë që kemi, sidomos në shkollë,” – shkruan Ramadani.
Ai i ka bërë thirrje prindërve, mësuesve dhe gjithë shoqërisë që të marrin më seriozisht rolin e tyre në edukimin e brezave të rinj:
Prindër, flisni me fëmijët tuaj dhe udhëzojini. Mësues, bëhuni shembull dhe udhërrëfyes. Shoqëri, tregoni më shumë empati, respekt dhe dashuri.
Ramadani paralajmëroi se nëse nuk veprohet tani, nesër do të jetë shumë vonë, duke theksuar se një shoqëri pa ndjenja njerëzore rrezikon të humbasë drejtimin.