36 mijë denarë për kushëririn e Arben Fetait, 50 mijë për anëtaren e kabinetit të Izet Mexhitit
Leotrim Fetai, kushëriri i zëvendëskryeministrit Arben Fetai, është i “punësuari” më i ri në Ministrinë e Ekologjisë të udhëhequr nga Izet Mexhiti. Leotrimi është angazhuar me kontratë në vepër për 36.000 denarë në muaj.
Megjithatë, siç tregojnë të punësuarit në Ministrinë e Ekologjisë, ai as edhe një ditë nuk është paraqitur në vendin e punës dhe askush nuk e di se cila është detyra e tij, thonë burime nga ministria. Leotrimi është kushëriri i dytë i zëvendëskryeministrit Fetai që gjen punë “me procedurë të përshpejtuar”, pasi edhe djali i xhaxhait të tij muaj më parë u punësua në Drejtorinë e Doganave.
Ndërkohë, me kontratë në vepër në Ministrinë e Ekologjisë është angazhuar edhe Sarana Ademi, e cila përfiton 50.000 denarë në muaj. Sarana është pjesë e kabinetit të Izet Mexhitit në Lëvizjen Demokratike, ndërsa njëkohësisht merr pjesë edhe në komisione të Ministrisë së Kulturës.
Ajo është mbesë e drejtorit të Agjencisë për Zbatimin e Ligjit të Gjuhëve, Granit Osmani. Para angazhimit në kabinetin e Mexhitit, Sarana Ademi ka punuar si zëvendëse e mësimdhënëses së lëndës së Muzikës, ndërsa aktualisht ka arritur të sigurojë tre burime të rregullta pagash mujore.
Emrat publikohen konform rregullativës ligjore
Në Maqedoninë e Veriut, qasja në informacionet me karakter publik rregullohet nga Ligji për qasje të lirë në informata me karakter publik, ndërsa mbrojtja e privatësisë rregullohet nga Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale.
Çfarë lejohet të bëhet publike?
- Informacionet që lidhen me punën, vendimet, buxhetet, kontratat, tenderët dhe shpenzimet e institucioneve publike.
- Dokumentet që tregojnë përdorimin e mjeteve publike dhe aktivitetet e zyrtarëve në ushtrimin e funksionit të tyre.
- Të dhëna statistikore dhe informata të përgjithshme që nuk identifikojnë drejtpërdrejt individë privatë.
Çfarë nuk lejohet të bëhet publike?
- Të dhëna që konsiderohen të dhëna personale, si numri i letërnjoftimit, adresa private, numrat e telefonit personal, gjendja shëndetësore, të dhëna biometrike etj.
- Informacionet që përbëjnë sekret shtetëror, tregtar ose profesional, përveç nëse ka interes publik më të madh që justifikon publikimin.
- Detaje nga jeta private e individëve që nuk lidhen me funksionin publik të tyre.
Kur informacionet janë publikuar nga vetë institucionet:
Nëse një institucion i shtetit ka bërë publik një informacion përmes faqes zyrtare, buletineve ose akteve zyrtare, ai informacion konsiderohet i hapur për publikun. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që mund të shpërndahet apo të përdoret pa kriter – duhet të respektohen gjithmonë kufizimet që kanë të bëjnë me privatësinë dhe të dhënat personale. Për shembull, një kontratë e publikuar mund të përmbajë emrin dhe mbiemrin e nënshkruesit, por jo numrin e letërnjoftimit apo adresën private.
Pra, balanca është midis transparencës (përdorimi i fondeve publike dhe përgjegjësia e institucioneve) dhe mbrojtjes së të dhënave personale (respektimi i privatësisë së individëve). Gazeta Flaka
The post 36 mijë denarë për kushëririn e Arben Fetait, 50 mijë për anëtaren e kabinetit të Izet Mexhitit appeared first on Flaka, në çdo lajm… .