AKI në Lubin e Sarajit, Bexheti: 19 tetori do të jetë referendum kombëtar
Në mbrëmjen e sotme, në fshatin Lubi – vendlindjen e kryetarit aktual të Komunës së Sarajit, Iljas Veseli – u zhvillua një takim madhështor me banorët lokalë, ku morën pjesë kandidati për kryetar komune, Blerant Ramadani, këshilltarja për Qytetin e Shkupit Nezrane Rustemi, si dhe figura të tjera të Aleancës Kombëtare për Integrim.
Në një atmosferë të mbushur me energji, entuziazëm dhe përkushtim, pjesëmarrësit shprehën mbështetjen e tyre për vizionin e ri të zhvillimit të Sarajit dhe për fitoren e partisë më 19 tetor.
“Lubini gjithmonë ka ditur të qëndrojë në anën e drejtë të historisë,” theksoi Bexheti, duke shtuar se “këtë herë, më shumë se kurrë, banorët e Lubinit po dëshmojnë se 19 tetori nuk do të jetë vetëm një datë zgjedhjesh, por një referendum kombëtar për dinjitetin dhe përparimin”, tha deputeti i zonës Blerim Bexheti.
Në përfundim të takimit, Bexheti falënderoi banorët për mikpritjen dhe besimin e treguar, duke shprehur bindjen se “fitorja është e sigurt.”