Rama – Vetëvendosjes: E doni Thaçin përjetësisht në Hagë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Lëvizjes Vetëvendosje, pas njoftimit për protestën që pritet të mbahet në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tyre, kryeministri shqiptar duhet të tregojë reflektim për Gjykatën Speciale dhe të ngrejë zërin në organe të larta si Këshilli i Evropës dhe OKB-ja për këtë çështje, e jo të organizojë protesta në Tiranë.
Në reagimin e tij, Rama akuzon Vetëvendosjen se po shtrembëron qëndrimet e mëparshme për Gjykatën Speciale, duke theksuar se ai vetë ka denoncuar në çdo rast “farsën ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve”, ndërsa, sipas tij, “Vetëvendosja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim”.
“Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja”, tha Rama.