”Povereniku nuk kalon në Gostivar”
Qeveria nuk ka bazë ligjore për të dërguar të besuar të saj në Komunën e Gostivarit.
Kodi Zgjedhor është shumë i qartë dhe preciz në këtë drejtim: delegimi i përfaqësuesit të Qeverisë lejohet vetëm në rast se në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, për çfarëdo arsye, asnjëri nga dy kandidatët që garojnë nuk zgjidhet.
Vetëm në këtë situatë Qeveria ka të drejtë të emërojë të besuarin e saj në krye të komunës.
Rasti i Gostivarit nuk hyn në këtë kategori. Në zgjedhjet e fundit, cenzusi nuk u arrit për vetëm 21 vota, që nënkupton se nuk janë plotësuar kushtet për të kaluar në rreth të dytë. Për këtë arsye, në përputhje të plotë me Kodin Zgjedhor, përsëritet i gjithë procesi zgjedhor nga fillimi, dhe jo rrethi i dytë. Gjithashtu, gjatë përsëritjes së zgjedhjeve nuk kërkohet më kushti i censuzit prej 1/3 të daljes në votime.
Prandaj, çdo tentativë për të emëruar të besuar të Qeverisë në Komunën e Gostivarit është në kundërshtim të plotë me ligjin dhe Kushtetutën. Ky është një proces zgjedhor që i takon ekskluzivisht qytetarëve dhe institucioneve zgjedhore, e jo ndërhyrjeve politike apo qeveritare.
Povereniku nuk kalon në Gostivar.
Zgjidhja është vetëm përmes votës së lirë dhe përsëritjes së zgjedhjeve.