Kosovarët, populli evropian që më së paku mund t’i përballojë pushimet
Gati 70 për qind e kosovarëve nuk janë në gjendje të përballojnë pushime vjetore larg shtëpisë. Një hartë e përpiluar nga uebfaqja e statistikave “Landgeist” bazuar në të dhënat e “Eurostatit”, e vendos Kosovën si vendin që prin për së keqi në Evropë, sa i përket përballimit të pushimeve.
Në shumicën e vendeve evropiane, shumica e popujve mund ta përballojnë pushimin prej një jave.
Janë kryesisht vendet në Evropën lindore që hasin në problematikë të tillë. Kosova qëndron më së keqi me 69.5 për qind të popullit që s’është në gjendje të përballojë pushimin, bazuar në të dhënat e marra nga viti 2018. Pas Kosovës, më së keqi janë malaziasit me 67.2 për qind të popullatës që s’mund t’i përballojë pushimet, pastaj Rumania, Turqia, Shqipëria e Maqedonia e Veriut. Për Shqipërinë, Malin e Zi, Serbinë dhe Turqinë të dhënat janë nga viti 2021, ndërsa për Maqedoninë nga 2020-a. Pos Kosovës, edhe të dhënat e Britanisë dhe Islandës janë nga viti 2018.
Dallim të madh nga zona lindore shfaqin shtetet e pasura si Luksemburgu, Norvegjia e Zvicra. Vetëm 7.6 për qind e shtetasve të Luksemburgut s’mund të përballojnë pushime njëjavëshe. Në vend të dytë është Norvegjia me 7.9 për qind e Zvicra e treta me 8.4 për qind.