Aktivisti BDI-së, Veton Murati: Në Tetovë nuk ka më vend për ata që përbuzin nderin dhe keqpërdorin mikpritjen tetovare!
Përfaqësues të Aktivës politike të BDI-së në Tetovë kanë reaguar me tone të ashpra ndaj disa figurave brenda partisë, të cilat, sipas tyre, “kanë përbuzur nderin dhe kanë keqpërdorur mikpritjen tetovare”.
Në një reagim publik të bërë nga Veton Murati, theksohet se në Tetovë “nuk ka më vend për ata që përbuzin nderin” dhe kërkohet nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, që të ndërmarrë masa të menjëhershme ndaj personave që “janë tallur dhe kanë përbuzur nderin e tetovarëve”.
“Aktivi politik i BDI-së së Tetovës me vendosmëri kërkon që kryetari Ali Ahmeti nga sot t’i përjashtojë dhe t’u ndalojë hyrjen në selinë e BDI-së në Tetovë figurave denigruese që janë tallur dhe kanë përbuzur nderin e tetovarëve,” thuhet në reagimin e Muratit.
Ai shton se është e papranueshme që “mundi i tetovarëve të shkojë kurban i talljeve të atyre që kur kanë qenë në kulmin e pushtetit kanë goditur Tetovën nga brenda”.
Murati nënvizon se Tetova ka dëshmuar gjithmonë unitet rreth kryetarit Ali Ahmeti dhe bën thirrje që “reformimi në parti të nisë nga ata që kanë ofenduar tetovarët”.