Më 19 nëntor nis gjyqi për zjarrin tragjik në diskotekën “Pulse” në Koçani
AA
Më 19 nëntor pritet të nisë procesi gjyqësor për tragjedinë e madhe që ndodhi më 16 mars në lokalin “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona – kryesisht të rinj, mes tyre gjashtë të mitur, ndërsa u lënduan 211 persona, prej të cilëve 157 më rëndë, përcjell INA.
Në prag të fillimit të gjykimit, institucionet shtetërore bënë apel për respekt, profesionalizëm dhe shmangie të senzacionalizmit gjatë raportimit për rastin, duke theksuar se Koçani nuk meriton politizim apo spekulime mediatike rreth një ngjarjeje që tronditi gjithë vendin.
Në brifingun e mbajtur në sallën e gjyqit në Idrizovë, ku do të zhvillohet procesi gjyqësor, kryetarja e Gjykatës Themelore Penale, Daniela Dimovska, theksoi se gjykata do të sigurojë të gjitha kushtet e nevojshme për një proces të drejtë dhe transparent, duke apeluar për respekt dhe dinjitet ndaj të gjitha palëve, veçanërisht ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.
Ajo shtoi se gjykata përballet me një detyrë të madhe dhe se është e rëndësishme të mos i nënshtrohet senzacionalizmit.
“Në proces janë përfshirë 38 të akuzuar – 35 persona fizikë dhe tre persona juridikë, në dy lëndë për të cilat ende nuk është marrë vendim për bashkim. Po ndërmerren masa sigurie dhe është kërkuar edhe prania e një ekipi mjekësor. Dëshmitarët e dëmtuar nuk do të mund ta ndjekin procesin deri pas dëshmive të tyre,” – deklaroi Dimovska.
Fillimi i gjyqit është caktuar për ora 9:30, ftesat për palët tashmë janë dërguar, dhe gjyqtare e lëndës do të jetë Diana Gruevska-Ilievska, ndërsa si gjyqtar i dytë, pas disa përjashtimeve të mëparshme, është caktuar Ahmed Idrizi.
Salla e gjyqit në KPU “Idrizovë” është ndryshe nga ato të Gjykatës Penale – ajo posedon sisteme për mbrojtjen e identitetit të dëshmitarëve, mundësi për marrje në pyetje online, hapësira sigurie, kamera, monitorë dhe ka kapacitet për 120 persona.
Gjykata njoftoi se, për një zhvillim efikas dhe ekonomik të procesit, janë caktuar më shumë data për seancat kryesore:
25.11.2025, 26.11.2025, 2.12.2025, 4.12.2025, 10.12.2025 dhe 11.12.2025, ndërsa pas fillimit të shqyrtimit do të caktohen edhe data shtesë sipas nevojës.
Në brifing ishte i pranishëm edhe Prokurori Publik, Ljupço Kocevski, i cili deklaroi se prokuroria është plotësisht e përgatitur, me një ekip të zgjeruar prej 15 prokurorësh, për të shmangur çdo vonesë të mundshme të seancave. Edhe pse materiali i provave është i obsezhëm, Kocevski premtoi një proces të drejtë dhe efikas.
“Prokuroria Publike do të ndërmarrë gjithçka brenda kompetencave të saj dhe nuk do të lejojmë që ndonjë seancë të shtyhet për fajin e prokurorisë. Për këtë arsye kemi vendosur ta zgjerojmë ekipin e prokurorëve, që tani mund të arrijë deri në 15 anëtarë me autorizime për të vepruar në lëndë. Kjo nuk do të thotë se të gjithë do të jenë vazhdimisht në sallën e gjyqit – do të marrin pjesë sipas dinamikës dhe natyrës së seancave,” – shpjegoi Kocevski.
Prokurori kryesor i çështjes është Borce Janev nga Koçani, ndërsa pjesëtarët e tjerë të ekipit do të ndërrrohen në bazë të fushave që kanë hetuar dhe që kanë çuar deri te zjarri katastrofik. Ndër dëshmitë kryesore të prokurorisë janë ekspertiza e Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe dëshmia e pronarit Dejan Jovanov, nga i cili pritet të zbulohen shumë detaje.
Në objektin e quajtur “Pulse”, që në fakt ishte një ndërtesë e improvizuar pa standarde, ishte bërë ndërtim dhe ndarje e paligjshme, me vetëm një derë hyrje-daljeje. Ndërkohë, disa nga të akuzuarit konsiderojnë të padrejtë që të përgjigjen persona që kanë qenë në funksione më shumë se një dekadë më parë.
Kryetari i Odës së Avokatëve, Ljubomir Mihajlovski, bëri thirrje për disiplinë dhe profesionalizëm nga ana e avokatëve, në mënyrë që procesi të zhvillohet pa pengesa dhe të mbrohen të drejtat e të dëmtuarve. Ai theksoi se në rast se ndonjë avokat nuk mund të marrë pjesë në seancë, duhet të sigurojë zëvendësim.
Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e tragjedisë, autoritetet apeluan te mediat dhe publiku që të përmbahen nga senzacionalizmi dhe të raportojnë me ndjeshmëri dhe respekt ndaj viktimave dhe familjeve të tyre.(INA)