Dollogozhda drejt vëlla-vrasjes! Myftinia e Strugës shkakton tensione duke shkelur Kushtetutën dhe rregullat!
Myftinia në Strugë po shkakton një kaos në xhaminë e fshatit Dollogozhdë, në rrethin e Strugës. Siç kanë denoncuar disa fshatarë në portalin tonë, myftiu i Strugës, Adi Murtishi, ka shkaktuar tensione të mëdha në këtë xhami, duke organizuar zgjedhje të paligjshme të këshillit të xhamisë dhe duke anashkaluar katër hoxhallarët e fshatit, ndër ta edhe një hafëz dhe një doktorant.
Pas këtij kaosi, xhamia e Dollogozhdës ka mbetur rreth dy javë pa imam, edhe pse fshati ka katër hoxhallarë banorë të saj.
Për shkak se hoxhallarët nuk pajtohen me kryesinë aktuale, e cila sipas tyre nuk është adekuate – me anëtarë jo xhematli, pa paguar anëtarësi dhe me vepra jo të denja – ata kanë bojkotuar punën e xhamisë deri në zgjedhjen e një kryesie që reflekton besimin dhe dinjitetin e xhematit.
Ky veprim nuk i ka pëlqyer myftiut Adi Murtishi, i cili në mënyrë të paligjshme ka sjellë një hoxhë të ri nga Kosova. Pas disa ditësh qëndrimi dhe ushtrimi të veprimtarisë në mënyrë të paligjshme, dhe pas denoncimeve në polici, hoxha është larguar.
Ky veprim i myftiut të Strugës ka nxitur tensione serioze mes fshatarëve, aq sa, sipas tyre, situata mund të çojë deri në vëlla-vrasje, pasi fshati është ndarë në dy grupacione: ata që mbështesin hoxhallarët e fshatit dhe ata që mbështesin kryesinë, të cilën e cilësojnë si jolegjitime.
Për këtë arsye, xhamia aktualisht është pa imam, madje edhe nesër nuk ka kush ta falë namazin e xhumasë.
Ndërkohë, kaosi në Myftininë e Strugës është edhe më i madh. Myftiu i Strugës, i cili sipas xhematit kontrollohet nga persona të pushtetit të kaluar lokal të BDI-së, ka humbur mbështetjen e rreth 2/3 të hoxhallarëve.
Në mbledhjen e mbajtur dje me hoxhallarët, nga gjithsej 44 sa ka Myftinia e Strugës, në fotografi shihet qartë se kanë qenë prezent vetëm 17 hoxhallarë, pra jo as 2/3 e tyre.
Reisi, Shaqir Fetahu, është i njoftuar me zhvillimet në BFI-në e Strugës dhe në Dollogozhdë, por ka zgjedhur heshtjen dhe mbështetjen e myftiut Adi Murtishi dhe kaosit që ai ka shkaktuar.
Ndërkohë, në Myftini ka edhe ankesa dhe denoncime nga hoxhallarët për keqpërdorim të detyrës nga ana e myftiut.