Vërshime në gjithë Kosovën, gjendje e jashtëzakonshme në dy komuna, shtyhet procesi mësimor
Komuna të shumta të Kosovës janë përballur dje me vërshime, të cilat janë shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë natës dhe gjatë gjithë ditës të martën, raporton Periskopi.
Për pasojë shumë shtëpi dhe biznese janë përmbytur, ndërsa në dy komuna është shpallur gjendje e jashtëzakonshme dhe është shtyrë fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të mësimit në shkolla.
E kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi në një paraqitje televizive në KTV bëri të ditur se shkaku i situatës është shtyrë deri më 12 janar nisja e gjysmëvjetorit të dytë të mësimit në këtë komunë.
Në Prishtinë kryetari i Komunës, Përparim Rama, ka njoftuar se është intervenuar së paku në 40 raste, si pasojë e vërshimeve. Gjendje e rënduar është paraqitur edhe në disa fshatra të Komunës së Fushë-Kosovës. Në atë të Gjakovës janë evakuuar disa familje të prekura, ndërsa familjeve që kanë nevojë për strehim Komuna ka njoftuar se do t’u sigurojë akomodim në banesa sociale.
Në Komunën e Deçanit qytetarëve u është bërë apel që t’i shmangin zonat e rrezikuara. E kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka thënë se gjendja në këtë komunë është nën kontroll dhe se po shkon drejt përmirësimit.
Situatë e rënduar me vërshime është evidentuar në Komunën e Malishevës. Në fshatin Bubavec ujërat kanë depërtuar në katin përdhes të shtëpisë së Demokrat Kryeziut. Për këtë shkak ai dhe anëtarët e tjerë të familjes së tij është dashur që të evakuoheshin me ndihmën e zjarrfikësve.
Shkaku i situatës së krijuar Komuna e Malishevës ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe ka marrë vendim që ta shtyjë nisjen e gjysmëvjetorit të dytë të mësimit.
Gjendje të jashtëzakonshme ka shpallur edhe Komuna e Junikut, në të cilën po ashtu është shtyrë nisja e mësimit deri më 12 janar.
Drenasi është komunë që gjithashtu është goditur rëndë nga reshjet e dendura të shiut. Gjendja më e rëndë është paraqitur në tri fshatra.
Në IHK kanë paralajmëruar po ashtu reshje me intervale dhe me intensitet të ndryshëm pritet të ketë edhe gjatë ditëve në vijim. E përballë kësaj situate në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) u kanë bërë thirrje qytetarëve, kryesisht të atyre që për pije përdorin ujë nga bunarë të pambrojtur, që ta ziejnë ujin para përdorimit.