Blerant Ramadani: Qeveria teknike nuk është mjet për presion politik
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Blerant Ramadani, ka deklaruar se çdo përpjekje për ta shndërruar çështjen e qeverisë teknike në instrument presioni apo kalkulimi politik është e papranueshme dhe jashtë kornizës ligjore.
Sipas Ramadanit, mekanizmi i qeverisë teknike është i përcaktuar qartë me ligj dhe lidhet drejtpërdrejt me afatet zgjedhore dhe funksionimin normal të institucioneve shtetërore.
“Qeveria teknike ndërtohet përmes respektimit të rendit kushtetues dhe procedurave ligjore. Nuk është temë për pazare politike apo për kalkulime të ngushta partiake,” ka theksuar Ramadani.
Ai ka bërë të ditur se çdo angazhim eventual i Aleancës për Shqiptarët në këtë proces do të realizohet në koordinim të plotë brenda koalicionit AKI, duke respektuar parimet e ligjshmërisë dhe barazisë mes palëve.
Ramadani ka shtuar se Aleanca për Shqiptarët mbetet e hapur për dialog dhe komunikim, por vetëm mbi baza të qarta institucionale.
“Vetëm përmes respektimit të ligjit, barazisë dhe institucioneve mund të ruhet serioziteti politik dhe besimi i qytetarëve,” ka përfunduar ai.