Digjet shtëpia në Vushtrri, humb jetën një 80 vjeçare
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se sonte rreth orës 22:20, Policia ka pranuar informatën se në fshatin Gracë të Vushtrrisë, një shtëpi banimi është kapluar nga zjarri.
“Njësitet përkatëse policore dhe zjarrfikëse kanë dalë menjëherë në vendngjarje. Si pasojë e përfshirjes së shtëpisë nga zjarri, në vendngjarje ka humbur jetën viktima femër, e moshës rreth 80-vjeçare”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës së jugut, Avni Zahiti në një prononcim për Veriu.info
Ai ka bërë të ditur se ekipet emergjente mjekësore kanë konstatuar vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes.
“Hetuesit policorë në koordinim me Prokurorin kompetent janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e rastit”, tha Zahiti për Veriu.info.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.