Ramadani: Ibrahim Rugova, ndërgjegjja politike që na mungon çdo ditë e më shumë
Me rastin e 20-vjetorit të vdekjes të Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, sekretari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Blerant Ramadani, ka përkujtuar figurën dhe trashëgiminë e tij politike, duke e cilësuar si “ndërgjegjjen tonë politike”.
Në një postim publik, Ramadani thekson se Rugova nuk mbetet vetëm si një figurë historike, por si simbol i konsistencës politike në një rajon ku, sipas tij, politika shpesh është kuptuar si zhurmë dhe imponim. Ai vlerëson se Rugova dëshmoi se shteti nuk ndërtohet me rrënim, por “duke vënë tullë pas tulle”, me durim dhe vizion afatgjatë.
Postimi i plotë
Sot, në 20-vjetorin e amshimit, Ibrahim Rugova nuk vjen ndërmend thjesht si Presidenti Historik, por si ndërgjegjja jonë politike që na mungon çdo ditë e më shumë.
Në një rajon ku politika shpesh është kuptuar si zhurmë dhe imponim, Rugova dëshmoi se arma më e fuqishme e një lideri është konsistenca. Ai na mësoi se shteti nuk ndërtohet duke rrënuar, por duke vënë tullë pas tulle, me durimin e një arkeologu që zbulon rrënjët e kombit dhe me vizionin e një arkitekti që projekton të ardhmen.
Doktrina e tij politike mbetet unike: Ai nuk kërkoi të sundojë mbi njerëzit, por t’i bashkojë ata rreth një ideje të madhe. Ai kuptoi se miqësitë strategjike me Perëndimin nuk janë taktikë mbijetese, por destinacion identitar.
Në kohëra turbullirash, kur busulla politike shpesh humbet drejtimin, trashëgimia e tij na kujton se: Liderët e vërtetë nuk masen me forcën që tregojnë sot, por me institucionet që lënë pas për nesër.
Lavdi vizionarit që guxoi të ëndërrojë Lirinë dhe pati mençurinë ta bëjë atë realitet!