Çfarë i pëshpëriti Osmani në vesh Trumpit?
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte ndër 19 nënshkruesit e Bordit të Paqes, një mekanizëm i themeluar nga presidenti amerikan, Donald Trump, me qëllim të rindërtimit të Gazës së shkatërruar nga lufta dyvjeçare.
Ajo e nënshkroi dokumentin të enjten, më 22 janar, në praninë e presidentit Trump. Para aktit të nënshkrimit, vëmendje të veçantë tërhoqi momenti kur Osmani u ul në tavolinë për të firmosur dokumentin dhe i pëshpëriti disa fjalë presidentit amerikan, një komunikim që zgjati vetëm disa sekonda.
Lidhur me atë që i tha Trumpit, Osmani sqaroi se bëhej fjalë për një vlerësim jashtëzakonisht pozitiv për rolin e tij, jo vetëm në nivel global, por edhe për Kosovën dhe rajonin.
“Ka qenë, natyrisht, një vlerësim jashtëzakonisht pozitiv për rolin e tij, jo vetëm globalisht, por edhe në Kosovë dhe në rajonin tonë. Ka qenë, do të thoja, vazhdimësi e bisedës që e kemi pasur në Kombet e Bashkuara më 23 shtator, një bisedë jashtëzakonisht pozitive dhe në interes të vendit tonë”, ka deklaruar Osmani për mediat në Kosovë.
Sipas planit të paqes të Trumpit për Gazën, Bordi i Paqes përshkruhet si një “organ i ri ndërkombëtar tranzitor”, i cili do të ndihmojë në mbikëqyrjen e rindërtimit të enklavës palestineze. Anëtarët e këtij bordi pritet të jenë udhëheqës botërorë, me presidentin Trump në krye.
Nënshkrimin për të qenë pjesë e këtij Bordi sot e kanë dhënë vetëm 19 shtete. Argjentina, Armenia, Bullgaria, Bahrejni, Azerbajxhani, Hungaria, Indonezia, Jordania, Kazakistani, Katari, Kosova, Maroku, Pakistan, Paraguai, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Uzbekistan dhe Mongolia janë vendet që kanë nënshkruar në ditën e themelimit të këtij bordi.