PSE ILIR DEMIRI VOTOI PRO “SAFE CITY”?
Nga 1 dhjetori deri më 31 janar, sistemi “Safe City” është në fazë testuese. Nuk ka gjoba. Vetëm regjistrim, monitorim dhe përgatitje teknike. Gjobat nisin nga 1 shkurti. Pikërisht për këtë arsye, vota e deputetit të pavarur Ilir Demiri merr peshë edhe më të madhe politike.
Ai siguroi votën e 81-të që e bëri ligjin të pakthyeshëm.
Ligji u votua para se qytetarët të shohin efektet reale, para se të ketë raport publik nga faza testuese, dhe pa debat serioz për:
saktësinë e sistemit, abuzimet e mundshme, privatësinë e qytetarëve, dhe faktin që projekti zbatohet vetëm në disa qytete.
Deputet i pavarur, por rreshtim i qartë
Ilir Demiri, si deputet i pavarur, nuk kishte presion formal partiak. Megjithatë, vota e tij u rreshtua plotësisht me shumicën qeverisëse VMRO–VLEN–ZNAM dhe me Levicën. Pa kushte. Pa amendamente. Pa sqarim publik.
Kjo hap dilema legjitime:
A ishte votë për të ruajtur lidhje me pushtetin? A ka garanci ose marrëveshje të padeklaruara për të ardhmen politike? Apo ishte thjesht kalkulim për të mos dalë kundër shumicës?
Heshtja gjatë fazës testuese është problem
Nëse “Safe City” është vërtet për sigurinë, faza testuese duhej shfrytëzuar për:
transparencë, raportim publik, korrigjime ligjore.
Por ligji u mbyll politikisht para se testi të përfundojë. Dhe vota e Demirit kontribuoi direkt në këtë mbyllje.
Pyetja mbetet
Pse Ilir Demiri votoi pro një ligj që:
Ende testohet, ende nuk ka llogaridhënie, dhe që nga 1 shkurti prek drejtpërdrejt xhepin e qytetarëve?
Derisa të ketë një shpjegim të qartë publik, vota e tij mbetet më shumë politike sesa parimore. Dhe në politikë, sidomos kur je vota vendimtare, mos-sqarimi është zgjedhje./shprehja.com