Deli Balidemaj kërkon mbështetje nga shqiptarët për këshilltar bashkiak i Mynihut
I diplomuar në inxhinieri, Deli Balidemaj, po rikandidon për Këshillin Bashkiak (deputet) të qytetit të Mynihut nga radhët e CSU-së me numrin rendor 24.
Balidemaj përmes një postimi ka kërkuar mbështetjen e shqiptarëve me vote në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen, më 8 mars 2026.
Balidemaj ka paraqitur pesë prioritete në të cilat do të fokusohet ai.
“Vota juaj ndikon drejtpërdrejt në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për fëmijët tanë”, shkruan ai.
Postimi i plotë:
Të nderuar Bashkëqytetarë, vëllezër dhe motra në Mynih, po ju drejtohem përmes këtij postimi për të kërkuar mbështetjen tuaj me votë në zgjedhjet e ardhshme, që do të mbahen më 8 mars 2026.
Mbështetja juaj, si dhe e miqve dhe të afërmve tuaj të shumtë në rrethin tuaj shoqëror, ka një rëndësi të veçantë për mua dhe për komunitetin tonë në Mynih dhe më gjerë.
Unë, Deli Balidemaj, rikandidoj për Këshillin Bashkiak (deputet) të qytetit të Mynihut nga radhët e CSU-së me numrin rendor 24.
Të drejtë vote kanë të gjithë qytetarët me nënshtetësi gjermane ose të Bashkimit Evropian (Modeli si të votohet – shiko më poshtë foton e dytë).
Vota juaj ndikon drejtpërdrejt në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për fëmijët tanë.
Fokusi im do të bazohet kryesisht në 5 pika të rëndësishme:
1. Banim i përballueshëm për të gjithë
Mynihu të bëhet një qytet me perspektivë të lartë dhe jetë dinjitoze, duke u angazhuar për banim më të përballueshëm, procedura më të thjeshta dhe lehtësim të politikave burokratike.
2. Lehtësim në administratë
Një administratë më efikase që kursen kohë dhe financa, dhe rrit integritetin dhe përfaqësimin e komunitetit tonë.
3. Lëvizshmëri për të gjithë
Transport publik i përballueshëm dhe i aksesueshëm në Mynih dhe më gjerë.
4. Siguri për qytetarët dhe mbrojtje e ambientit
Një qytet më i sigurt dhe më i gjelbër për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.
5. Kujdes për fëmijët dhe të ardhmen e tyre
Investim në arsim cilësor dhe politika që garantojnë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë.
Të nderuar bashkëqytetarë, për këto pika unë zotëhem për punë të palodhur dhe përkushtim maksimal, pa kursyer asgjë nga vetja, për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të komunitetit shqiptar në Mynih, Bavari dhe më gjerë.
Materialin e zgjeruar për të gjitha zotimet e mia mund ta gjeni në faqen time në Facebook:
Stadtrat Deli Balidemaj
Me respekt,
Deli Balidemaj
Kandidat për Këshillin Bashkiak të Mynihut
Numri 24
Për një Mynih që funksionon, sot dhe nesër.