Konferencë trepalëshe në Shkup për përfshirjen e personave me aftësi të posaçme, bashkëpunim rajonal dhe zhvillim në Ballkanin Perëndimor
Konferencë trepalëshe kushtuar avancimit të përfshirjes së personave me aftësi të kufizuara dhe forcimit të bashkëpunimit rajonal për zhvillim të qëndrueshëm do të mbahet sot në Shkup. Organizatorë janë Instituti i Shoqatës për zhvillim të komunitetit, në partneritet me Fondacionin “Preda plus” dhe ADRF (Albanian disability rights foundation) dhe mbështetjen e organizatave partnere, në kuadër të iniciativës rajonale “Empoëered“, njoftojnë organizatorët.
“Bartës i projektit është ASB South East Europe. Projekti financohet nga Ministria federale për bashkëpunim ekonomik dhe zhvillim e Republikës Federale të Gjermanisë (BMZ). Kjo konferencë tubon përfaqësues të ministrive përkatëse, organizatave të personave me aftësi të kufizuara, ekspertëve dhe sektorit privat nga Republika e Maqedonisë së Veriut, Shqipëria dhe Kosova”, sqarojnë organizatorët.
Siç theksohet, qëllimi është të promovohet pjesëmarrja e personave me aftësi të kufizuara në hartimin e politikave dhe reformave institucionale, inkurajimi në harmonizimin e legjislacionit me Konventën e KB-së për të Drejtat e personave me aftësi të kufizuara, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe rrjetet për shkëmbimin e njohurive dhe praktikave të mira, identifikimin e hapave konkretë dhe zgjidhje inovative për një treg pune gjithëpërfshirës si dhe avancim i mekanizmave mbështetës për përfshirje në aspekt afatgjatë.
“Konferenca paraqet një platformë për shkëmbimin e përvojave, prezantimin e praktikave të mira dhe forcimin e partneriteteve midis organizatave dhe institucioneve nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova, me qëllim inkurajimin e dialogut rajonal dhe veprimit të përbashkët drejt politikave dhe praktikave më gjithëpërfshirëse”, theksojnë organizatorët.
Në kuadër të konferencës, është paraparë që pjesëmarrësit të diskutojnë në dy panele. I pari është mbi bashkëpunimin rajonal, inovacionin dhe avokimin për ndryshime sistemike në fushën e përfshirjes. I dyti është mbi politikat e punësimit dhe mbështetjen për punësimin e personave me aftësi të kufizuara.
Organizatorët kanë paralajmëruar gjithashtu fjalim të zëvendësministrit të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Vellkovski, si dhe Kevin Maas, Shef i Departamentit të shtypit dhe kulturës së Ambasadës gjermane në Republikën e Maqedonisë së Veriut.