Blerant Ramadani tërhiqet nga posti i Sekretarit Gjeneral të ASH: “Do t’i shërbej shoqërisë nga një horizont i ri”
Blerant Ramadani ka njoftuar tërheqjen e tij nga pozita e Sekretarit Gjeneral dhe nga angazhimi aktiv në strukturat partiake të Aleancës për Shqiptarët, duke theksuar se vendimi vjen pas një reflektimi të thellë personal dhe profesional mbi mënyrën se si mund t’i shërbejë më mirë shoqërisë, transmeton Zyrtare.
Në një postim në Facebook, Ramadani ka bërë të ditur se në mbledhjen e fundit të kryesisë vota e tij ka qenë kundër dorëheqjes kolektive, duke e cilësuar këtë qëndrim jo si mospajtim, por si botëkuptim.
“Si inxhinier, unë besoj te strukturat që ngrihen mbi themele të forta, jo te logjika e rrëzimit për të rifilluar nga e para. Unë besoj te stabiliteti,” ka shkruar ai, duke shtuar se megjithatë e respekton vendimin e shumicës si parim themelor demokratik.
Ramadani thekson se ky hap nuk është një tërheqje nga idealet, por një ripozicionim i energjisë së tij drejt fushës së shkencës dhe zhvillimit strategjik, aty ku, sipas tij, vendi ka nevojë jetike.
“Një vend nuk lartësohet nga retorika e ditës, por nga forca e pakontestueshme e dijes dhe kompetencës,” shprehet ai.
Në mesazhin e tij, Ramadani ka falënderuar veçanërisht qytetarët e Sarajit për mbështetjen e dhënë, duke e cilësuar atë si fitoren e tij më të madhe morale.
Ai e përmbyll njoftimin duke theksuar se ky vendim nuk është një lamtumirë nga vizioni për një shoqëri të drejtë, por një vazhdim i angazhimit për parime, në forma të reja.