Sekuestrohen mbi 33 mijë euro mallra në Vërmicë – automjeti nuk iu bind urdhërit për kontroll, ndalohet në autostradë
Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka sekuestruar mallra në vlerë mbi 33 mijë euro në një automjet në Vërmicë, teksa shoferi është ndaluar për 48 orë.
Fillimisht automjeti nuk i është bindur urdhrit për ndalim dhe është larguar nga pika e kontrollit, por zyrtarët doganorë i janë vënë në ndjekje dhe kanë arritur ta ndalojnë në autostradë.
“Gjatë kontrollit është konstatuar se automjeti transportonte dërgesa postare të destinuara për blerës në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Pas numërimit dhe verifikimit është konstatuar se në automjet ndodheshin: 233 pako, 1,376 njësi mallrash të ndryshme”, thuhet në njoftim.
Vlera e përgjithshme e mallit është 33 mijë e 810, teksa shmangia nga detyrimet doganore 10 mijë e 75 euro.
Malli është sekuestruar.
“Malli përfshinte artikuj të ndryshëm tekstili, këpucë, produkte kozmetike, aksesorë, produkte ushqimore dhe mallra të tjera konsumi. Në vendngjarje kanë dalë njësitë hetimore të Doganës së Kosovës. Me urdhër të Prokurorit kompetent është inicuar rast për vepër penale. I gjithë malli është sekuestruar dhe evidentuar sipas procedurave ligjore, ndërsa automjeti është konfiskuar përkohësisht dhe dërguar në hapësirat zyrtare të Doganës. Me urdhër të Prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe shmangies së detyrimeve doganore, me qëllim mbrojtjen e rendit ekonomik dhe sigurisë së tregut”, thuhet në njoftim.