(VIDEO) Cveta Ristovska jep dorëheqje nga antikorrupsioni
Edhe një dorëheqje nga Komisioni Shtetëror për Antikorrupsion. Cveta Ristovska ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i anëtares së Komisionit Antikorrsion dhe dorëheqjen e ka dorëzuar tek kryetari i Kuvendit Afrim Gashi. Në arsyetimin e saj, thotë se jep dorëheqje pas polemikave publike dhe dyshimeve që lidhen me punën e saj në këtë organ.
Ristovska thekson se gjatë gjithë karrierës së saj profesionale, përfshirë punën e saj në Komision, ajo e ka kryer punën e saj ligjërisht, me ndërgjegje dhe me qëllimet më të mira.
Cveta Ristovska, anëtare e Komisionit Antikorrupsion
“Më vjen keq nëse disa rrethana, përfshirë edhe lëshime të mundëshme administrative kanë çuar në dyshime të bazuara në opinion. Në të gjitha rastet në punën time në Komision, në të cilat ka pasur mundësi për një konflikti të mundshëm interesi, kërkova përjashtim, në përputhje me ligjin. Nuk kam pasur qëllim të fsheh informacionin, përkundrazi, kam respektuar detyrimet ligjore”.
Në fillim të këtij muaji, KShPK-ja hapi dy raste kundër koleges së tyre Ristovska, për të hetuar rastet e konfliktit të interesit dhe mosdeklarimit të pasurisë që lidhen me Ristovskën.
Ristovska dyshohet se në formularin e deklarimit të pasurisë nuk e ka paraqitur që dy djemtë e saj janë pronarë të agjencive të marketingut. Ajo i ka mohuar akuzat, duke thënë se fëmijët e saj nuk jetojnë në një familje të përbashkët me të që nga viti 2017 dhe se aktivitetet e tyre afariste janë të pavarura nga funksioni i saj publik.
Përbërja aktuale e KSHPK-së u zgjodh në shkurt të vitit 2024. Deri më tani, dy anëtarë kanë dhënë dorëheqjen.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/