Grushti në qendër të Prishtinës, Prokuroria nuk ka pranuar nga Policia kallëzimin penal për sulmin fizik ndaj Havollit
Këtë e ka konfirmuar Prokuroria Themelore e Prishtinës, në një deklaratë të shkurtër për gazetën online Reporteri.net, tek pas disa insistimeve të mediumit për të marrë konfirmim nga Prokuroria e Shtetit për rastin.
“Ju njoftojmë se sa i përket rastit në fjalë deri më tani Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk ka pranuar ende kallëzimin penal nga Policia e Kosovës”, thuhët në përgjigjen e Prokurorisë.
Rasti në fjalë kishte ndodhur para dy javësh, në një lokal në qendër të Prishtinës.
Për dallim prej Prokurorisë, nga Policia e Kosovës, pak ditë pas grushtit të pronarit të “2A Group SHPK” – një kompani e njohur në fushën e prokurimit publik dhe tenderëve të shtetit – ndaj ish-drejtorit komunal të Prishtinës, kishin deklaruar se kishin hapur rast për veprën penale “Lëndim i Lehtë Trupor”, dhe se veprimet pasuese po ndërmerreshin në koordinim me prokurorin e shtetit.
“Rasti është raportuar në polici dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit është hapur rast për veprën penale “Lëndim i Lehtë Trupor”. Të gjitha veprimet e radhës do të ndërmerren në koordinim me Prokurorin e Shtetit”, kishte dekluar Policia e Kosovës për Reporteri.net, më 3 shkurt 2026.
Veç Policisë e Prokurorisë, për sulmin fizik ka reaguar edhe vetë Havolli, i cili në një prononcim të shkruar për Reporteri.net ka thënë se “njëherë” s’ka çka “me deklaru asgjë për këtë çështje në media“.
Incidenti mes Ademit dhe Havollit kishte ndodhur pas një përplasje verbale mes dyshes të cilët po qëndronin në të njëjtin lokal në Prishtinë, teksa sulmi me grusht i biznesmenit ndaj ish-drejtorit komunal u krye kur ky i fundit ishte nisur për t’u larguar nga lokali. Lajmi për rrahjen, fillimisht u raportua nga mediat në Tiranë, të shtunën, një ditë pas rastit.
Emri i biznesmenit Valon Ademi është përmendur me të madhe muajve të fundit në Shqipëri për shkak se u lidh me disa investime të përfolura rreth Aeroportit të Vlorës, duke e vënë në qendër të një skandali të bujshëm atje.
Biznesmeni Ademi, deri në korrik të vitit 2019, kishte qenë Konsull i Nderit të Republikës së Shqipërisë në Gjilan, me vendim të Ministrisë së Jashtme në Tiranë. Privilegjet diplomatike atij ia kishte ndërprerë ish-ministri Gent Cakaj, në një kohë kur biznesmeni kosovar përflitej në Shqipëri për akuza të falsifikimit të dokumenteve për një tender milionësh në Bashkinë e Kavajës.
Nga ana tjetër, Sokol Havolli që aktualisht është asamblist i zgjedhur në Komunën e Prishtinës, më herët ka qenë edhe zëvendësguvernator i Bankës Qendrore të Kosovës dhe Drejtor i ndërmarrjes publike “Prishtina Parking”. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka qenë kandidat për deputet nga LDK, por që nuk ka arritur të sigurojë votat për një ulëse në Kuvend./Veriu.info