(VIDEO) Raporti i ri i Waitz: Reformat kanë ngecur
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut, eurodeputeti Thomas Waitz në draft-raportin vjetor të progresit për vendin, kërkon nga Qeveria dhe aktorët politik që t’i përshpejtojnë reformat dhe t’i realizojnë ndryshimet kushtetuese. Njëkohësisht thekson se BE-ja dhe shtetet e saj anëtare duhet të përmbushin detyrimet e tyre. Dokumenti kritikon ngecjen në sundimin e ligjit, reformat në gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe thekson polarizimin politik dhe mungesën e bashkëpunimit ndërpartiak.
Thomas Waitz, eurodeputet
“Maqedonia e Veriut aktualisht është në një pozicion të vështirë, pasi procesi i pranimit është bllokuar. Pavarësisht disa reformave pozitive, progresi në Axhendën e Reformave të BE-së, veçanërisht në fusha kyçe si sundimi i ligjit, reforma gjyqësore dhe lufta kundër korrupsionit, është i pamjaftueshëm. Kjo për shkak të fushatës zgjedhore, kapaciteteve të kufizuara në administratën publike dhe mungesës së angazhimit politik afatgjatë”.
Ai thekson se Maqedonia e Veriut aktualisht është në një pozicion të vështirë, pasi procesi i pranimit është bllokuar.
Tabel: Thomas Waitz, eurodeputet
“Është thelbësore që të gjithë aktorët politikë në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht Qeveria dhe deputetët nga shumica qeverisëse, ta njohin këtë urgjencë të re dhe të fillojnë të japin rezultate të prekshme, bindëse dhe të ndershme në këto fusha kyçe pa vonesa të mëtejshme”.
Këtë dokument Waits thotë se do t’ia paraqesë Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, javën e ardhshme, më 26 shkurt.
Ky është raporti i dytë për vendin që nga viti 2022, pas atij të miratuar nga PE vitin e kaluar.
Emine Ismaili /SHENJA/