(VIDEO) Droga e sekuestruar në Serbi, prokuroria jep urdhër për hetim për 6 persona
Gjashtë persona po hetohen për rastin e kamionit me marihuanë nga Maqedonia e Veriut, i kapur nga policia serbe në fund të janarit 2026. Hetimi bazohet në dokumente nga Ministria e Brendshme dhe nga Zyra e Prokurorit Publik për Krimin e Organizuar të Serbisë.
Të dyshuarit, së bashku me persona të tjerë ende të paidentifikuar, në një periudhë nga viti 2025 deri në fund të janarit 2026, dyshohet se janë organizuar për shitje dhe shpërndarje të kokainës dhe marihuanës. Dy nga të dyshuarit, së bashku dhe me marrëveshje paraprake me të dyshuarin e parë në këtë rast, i cili është pronar i një personi juridik nga Shkupi, si dhe me persona të tjerë të paidentifikuar, organizuan blerjen e drogës narkotike marihuanë dhe transportimin e saj të shumëfishtë nga Maqedonia e Veriut në Republikën e Serbisë me automjete mallrash, me qëllim shitjen e mëtejshme.
Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit
“Në dhjetor 2025, i dyshuari i parë u dha udhëzime punonjësve të tij që të paketonin gjithsej 8,832 kilogramë lule kanabisi të tharë, të blerë më parë nga një person juridik në Strumicë. Gjatë një periudhe prej rreth dy javësh, punonjësit paketuan mbi 200 kuti, pas së cilës i dyshuari i parë u dha atyre një leje kolektive. Më 13.01.2026, në mesditë, dy bashkëpunëtorët organizuan transportimin e një sasie më të madhe lule kanabisi të tharë me automjete mallrash dhe pasagjerësh nga objekti i personit juridik në Shkup në një vend në zonën e Sveti Nikollës”.
Nga prokuroria më tej kanë sqaruar aktivitetin e mëtejmë të personave të dyshuar, me çka theksojnë se, pesë të dyshuar pasi transferuan mallra nga një kamion me rimorkio në një tjetër, më pas në Sveti Nikole automjeti u ngarkua me kuti me lule të thata kanabisi. Ata, së bashku me tre të dyshuar të tjerë, u nisën drejt pikës kufitare Tabanovce dhe u larguan nga vendi.
Ndërkaq, më 14 janar 2026, në orën 03:41, kamioni doli nga autostrada drejt fshatit Konjuh, ku në një objekt të një personi juridik nga Krushevci u shkarkuan kutitë me marihuanë. Prokurori Publik vlerësoi se nuk kishte masë tjetër për sigurimin e pranisë së të dyshuarve dhe propozoi paraburgim 30-ditor për dy prej tyre, të cilin e miratoi gjykatësi i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup.
Teuta Buçi /SHENJA/