Nikolloski: Me dinamikë të shkëlqyer po ndërtohet autostrada Gostivar – Bukojçan
Është kënaqësi të shohësh përparim dhe rezultate të mira në ndërtimin e autostradës Gostivar – Bukojçan. Kemi një dinamikë të fortë, shteti po siguron logjistikë dhe mjete në kohë edhe në sektorin e shpronësimit dhe dinamika e fortë do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme në mënyrë që të mund të vozisim në këtë autostradë deri në fund të vitit 2029″, tha zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski.
Ai sot së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski, ushtruesin e përkohshëm të detyrave në Ambasadën e SHBA-së, Nikoll Varns, zëvendësministra, deputetë, kryetarë të komunave dhe drejtorin e NPRRSH-së, Koce Trajanovski, inspektuan ndërtimin e autostradës Gostivar-Bukojçan.
“Po punojmë mjaft intensivisht në këtë seksion 2, përkatësisht në autostradën që shkon nga Gostivari në Bukojçan, e cila nga ana tjetër duhet të lidhet me autostradën Gostivar-Tetovë, e nga ana e poshtme duhet të lidhet me autostradën që do të ndërtohet nga Bukojçani në Kërçovë. Nga aty lidhemi me autostradën për në Ohër dhe Strugë, e cila është tashmë në ndërtim e sipër, pra kjo është e gjithë autostrada që shkon në krahun perëndimor të Korridorit 8, një autostradë që duhet të lidhë të gjithë këtë rajon, të sjellë përfitime të mëdha ekonomike, më shumë biznes dhe shumë më tepër turistë”, deklaroi Nikolloski.
Ai vuri në dukje se shpronësimi është pothuajse 90 për qind i përfunduar, që është një shenjë suksesi, kurse financimi është në kohë, që do të thotë drejtpërdrejt edhe zbatim në kohë të këtij projekti. Përveç kësaj, siç theksoi, ndërtimtari ka një rritje historike prej 21 për qind.
Ai falënderoi kryeministrin Mickoski për mbështetjen që po i jep këtij projekti dhe paralajmëroi dinamikë të fortë dhe përfundimin e kësaj autostrade deri në fund të vitit 2029 pa asnjë lëshim nga afati. Ai shtoi se po punohet intensivisht edhe në autostradat nga Tetova në Gostivar, si dhe në autostradën nga Prilepi në Manastir.