Çibishev për spitalet modulare në vitin 2025: Ato nuk ishin kapacitete për ofrimin e kujdesit që kërkon standarde të larta
Doktor Andon Çibishev nga Klinika e Toksikologjisë edhe në vitin 2025 e përsërit të njëjtin qëndrim në lidhje me spitalet modulare të ndërtuara gjatë kovid-krizës, një qëndrim që kishte edhe në vitin 2021, pas zjarrit në Tetovë, kur u dogjën 14 persona. Deklaratat e tij në lidhje me këtë u bënë përsëri aktuale pasi ish-prokurorja në PSP dhe PP, Lejla Kadriu, në një paraqitje publike, theksoi se problemi është se spitalet modulare janë ndërtuar me panele të lira prej 5-6 euro, në vend të atyre më të shtrenjta që mund t’i rezistojnë zjarrit për 45 minuta, dhe se nëse procesi do të kishte shkuar deri në fund, gjysma e qeverisë së atëhershme duhet të kishte përfunduar në burg.
“Kemi një grumbull institucionesh shëndetësore jofunksionale ose të rrënuara, të lëna në dorë të kohës, të cilat, me pak para dhe pak organizim, mund të përshtateshin dhe të përdoreshin në kontekstin e situatës në të cilën ndodhemi. Këto janë institucione të ndërtuara sipas të gjitha standardeve, ato vetëm duhet të përshtaten”, deklaroi në atë kohë doktor Çibishev për emisionin “Çfarë nuk është e qartë” të transmetuar më 11 shtator 2021 në televizionin “Alfa”.
Sipas Çibishev, spitalet modulare nuk ishin kapacitete në të cilat mund të ofrohej kujdes intensiv mjekësor. Spitalet modulare, siç thotë, ishin të mbushura deri në shtratin e fundit, dhe në disa vende u shtuan më shumë shtretër dhe u akomoduan më shumë pacientë sesa lejohej hapësira.
“Pse ne, si shtet, si sistem shëndetësor, u mbështetëm në spitalet modulare? Ne kemi kapacitete të caktuara në departamentet e sëmundjeve infektive, në departamentet e mjekësisë interne, ku kemi mund të hospitalizojmë pacientë të tillë që kanë nevojë për kujdes intensiv mjekësor. E përsëris, kujdes intensiv mjekësor, i cili zakonisht shoqërohet edhe me terapinë me oksigjen ose dhënien e oksigjenit pacientëve. Unë besoj se spitalet modulare nuk janë kapacitete në të cilat mund të ofrohet kujdes intensiv mjekësor”, thotë Çibishev.