Ish-ambasadori Peci: Arritje e madhe nëse Kosova merr komandën e zonës në veri të Gazës
Ish-ambasadori Lulzim Peci ka thënë se nëse Kosova e merr komandën e zonës në veri të Gazës, në kuadër të trupave paqeruajtëse që janë paraparë nga Bordi i Paqes, i krijuar nga presidenti amerikan, Donal Trump, kjo do të ishte e arritura më e madhe në konsolidimin ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës.
“Nëse Kosova e merr komandën e zonës në veri të Gazës, e cila është e paraparë të udhëhiqet nga një gjeneral brigade, do të jetë e arritura më e madhe në konsolidimin ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës që nga vendimi i GJND-së për shpalljen e pavarësisë së vendit tonë”, ka shkruar Peci në Facebook.
Kjo njëkohësisht, sipas tij. do të paraqiste edhe përgjegjësinë më të madhe të vendit tonë në skenën ndërkombëtare.
“Për këtë do të duhet edhe të kontribuojë me një numër të rëndësishëm të trupave të FSK-së. Kështu, Kosova nga nja absorbues i sigurisë do të shndërrohet në një kontribues të fuqishëm të sigurisë ndërkombëtare, dhe me këtë do të hapet definitivisht rruga për anëtarësim në NATO”, ka shtuar Peci.
Republika e Kosovës është bërë anëtare themeluese e Bordit të Paqes, një organizatë të re ndërkombëtare e iniciuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Bordi është themeluar në muajin janar dhe ka për qëllim të mbikëqyrë përpjekjet për paqe dhe stabilitet, duke filluar me situatën në Rripin e Gazës.
Kosova u përzgjodh si një nga vendet themeluese, duke nënshkruar anëtarësimin më 22 janar 2026, ndërsa mbledhja e parë inaguruese e këtij bordi u mbajt në Washington DC, ku mori pjesë edhe presidentja Vjosa Osmani.
Në këtë takim u bë e ditur se Kosova do të jetë njëra nga vendet anëtare e cila nuk do të kontribuojë me mjete financiare, por me trupa paqeruajtëse.