(VIDEO) Kryeparlamentari nuk mendon se kthimi i Grubit është vendim politik
Ndonëse nuk deshti ta komentojë kthimin në vend të Artan Grubit, ish-zëvendëskryeministër nga radhët e BDI-së, i dyshuar për keqpërdorime në Llotarin Shtetërore, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot deklaroi se politika nuk duhet të përzihet në gjyqësor. Megjithatë , ai thotë se në fund të fundit e rëndësishme është drejtësia.
AFRIM GASHI, KRYETAR I KUVENDIT
“Kuvendi dhe unë si kryetar i Kuvendit nuk është mirë të komentoj vendime politike, por atë që e kam deklaruar publikishst që është parimore dhe mund ta përsëris se është koha e fundit të ndalojmë së përzieri në gjyqësi. Ai perceptim tek qytetarët se ka ndonjë marrëveshje, lë ndjenjë të keqe tek të gjithë qytetarët, kështu që porosia ime do të ishte përfundimisht secili institucion ta kryejë punën e vet, në këtë pjesë gjyqësori dhe prokuroria. Ka proces, le ta kryejnë punën e tyre me ndërgjegje dhe me profesionalizëm”.
Gashi nuk mendon se kthimi i Grubit është vendim politik. Ai theksoi se “ka ardhur koha që të gjithë të vetëdijesohen sepse, siç tha, nuk ka kohë për të humbur për vendosjen e shtetit juridik.
AFRIM GASHI, KRYETAR I KUVENDIT
“Kjo është thirrje drejt të gjitha institucioneve, aktorëve në shoqëri, dhe gjyqësori dhe prokuroria edhe pushteti ekzekutiv edhe pushteti ligjvënës, nëse secili e kryen punën e vet me ndërgjegje dhe profesionalizëm, mendoj se nuk është vështirë të arrihet ajo. Përfundimisht të gjithë ne të cilët jemi të thirrur, përfshirë edhe juve si gazetarë, për të cilët konsideroj se jeni faktor i rëndësishëm në shoqëri, nëse të gjithë punojmë në një drejtim, mendoj se do të arrijmë efekte pozitive në kohë më të shkurtë”.
Ndërkaq, kryeparlamentari njoftoi se për nesër është caktuar mbledhja e grupit të punë për Kodin Zgjedhor në Ministrinë e Drejtësisë dhe pritet të zgjedhet kryetari i tij. Gashi informoi se në javët në vijim në Kuvend do të duhej të arrinin ligje të reja nga agjenda reformuese.
Samir Mustafa /SHENJA/