Nga nesër fillon evakuimi i shtetasve të Maqedonisë së Veriut nga vendet e Lindjes së Mesme
Evakuimi i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut nga Lindja e Mesme pritet të fillojë të dielën dhe do të realizohet me fluturime çarter komerciale. Kjo do të bëhet pasi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të lidhë marrëveshje me një kompani ajrore, në përputhje me procedurat e parashikuara në Ligjin për Prokurimin Publik.
Sipas planit të parashikuar, të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut që kanë shprehur gatishmëri për t’u evakuuar pritet të kthehen në vend më së voni deri në mesin e javës së ardhshme.
Procesi i evakuimit po koordinohet përmes misioneve diplomatike dhe konsullore në rajon. Detajet teknike dhe organizative të fluturimeve do të përcaktohen pas përzgjedhjes së operatorit ekonomik, ndërsa qytetarët do të informohen me kohë për hapat e mëtejshëm.
Ndërkohë, përmes kanaleve diplomatike po vazhdon mbledhja e aplikimeve dhe evidentimi i qytetarëve që dëshirojnë të largohen nga rajoni.
Sipas të dhënave të deritanishme, Ambasada në Doha ka kontaktuar 150 qytetarë të Maqedonisë së Veriut, prej të cilëve 95 kanë shprehur gatishmëri për evakuim.
Ndërkaq, Ambasada në Abu Dhabi ka kontaktuar 585 persona që jetojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe 36 në Kuvajt, 15 në Bahrein dhe 5 në Arabinë Saudite.