(VIDEO) Vizioni M organizon manifestim madhështorë për 7 Marsin
Në mbrëmjen e 7 marsit, në shënim të Ditës se Mësuesit, Shoqata Kulturore Vizioni M organizoi projektin artistik “Fjalët e Qiririt”, me nën temën “Poezi në Pikturë”. Ekspozita solli një koncept të veçantë krijues, ku vargu poetik ndërthuret me pikturën në një shkrirje estetike mbi pëlhurë. Përmes kësaj forme artistike, arti i fjalës dhe ai i ngjyrës bashkohen në një harmoni që pasqyron të bukurën, vlerën dhe reflektimin që arti përcjell në shoqëri. Abdulla Berisha, nga Vizioni M, tha se mësuesi është pararendësi kryesor i trashëgimisë së thesarit të dijes në të gjithë njerëzimin, dhe se nuk do të kishte kuptim pa ndërmjetësimin e njeriut që është udhëheqës i dijes.
ABDULLA BERISHA-SHOQATA KULTURORE VIZIONI M
‘’Ky projekt i organizuar nga Shoqata Kulturore Vizioni M, që quhet Fjalët e Qiririt, me nëntematikë Poezi në Pikturë, që konceptohet si një shkrirje estetike e vargut në pëlhurë, është haromina primordiale e artit si pjesë përbërëse e të bukurës, e të vyeshmes, e përsiatjes. Nuk do mend se nuk jemi të prirë për të parë veten anën e bukur të formës, apo më mirë thënë nuk është e kompletuar pamja e jashtme pa nuancat e brendshme të porosive që na e shpalos ky projekt’’.
Berisha gjithashtu theksoi se arti është pjesë e jetës pa të cilën nuk mundet të imagjinohet plotnia e njeriut, ku shtoi se ashtu sic ka nevojë për ushqimin e përditshëm dhe ujin për të shuar etjën.
ABDULLA BERISHA-SHOQATA KULTURORE VIZIONI M
‘’Ne këtë projekt e shohim si një mundësi për një dritare me potencial, duke e ushqyer edhe më shumë që në të ardhmen, qenia jonë njeri, të ketë hapësirë dhe mundësi që këtë dritë ta shfaq edhe më shumë. Andaj me këmbëngulje nxitojmë të përkrahim iniciativa të këtilla, nga të rinjët, nga aktivistët të cilët artin e shohin jo si profit, por si vlerë, si mesazh, si njohje mes vete’’.
Berisha njoftoi se si vizion mbeten gjithmonë të hapur për iniciativa dhe bashkëpunime të tilla.
/SHENJA/