(VIDEO) Paralajmërohet kallëzim penal kundër Ministrit të Kulturës
Sindikata e Kulturës do të dorëzojë kallzim penal kundër ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov, për shkak se ekziston dyshim i bazuar se ai ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” dhe “Shkelje e të drejtave nga marrëdhënia e punës”.
SINDIKATA E KULTURËS
“Ministri Zoran Ljutkov gjatë vitit 2025, me vetëdije dhe në kundërshtim me ligjin, ka nxjerrë udhëzime dhe ka dhënë udhëzime për mënyrën e përllogaritjes së pagave të të punësuarve në kulturë, duke vendosur në mënyrë të paligjshme një metodologji të re për llogaritjen e pagave”.
Sipas sindikatës së kulturës me këto veprime, ministri ka anashkaluar drejtpërdrejt Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive për sektorin publik dhe të drejtat kolektive të punonjësve. Po ashtu ministri ka ndërhyrë seriozisht në sistemin e të drejtave të punëtorëve dhe në sundimin e ligjit, duke e vendosur veten mbi ligjet dhe marrëveshjet kolektive thonë nga sindikata.
Sindikata paralajmëroi se të mërkurën do të bëhen publike edhe kallëzimet penale kundër drejtorëve të institucioneve të kulturës, të cilët duke zbatuar udhëzimet e paligjshme të dhëna nga ministri, kanë kryer veprën penale “Shkelje e të drejtave nga marrëdhënia e punës”.
/SHENJA/