PLD kërkon masa urgjente pas rritjes së çmimit të derivateve të naftës
Partia Liberale Demokratike (PLD) u bën thirrje institucioneve kompetente të reagojnë urgjentisht dhe në mënyrë efikase pas vendimit të fundit të Komisionit Rregullator të Energjisë për rritjen e çmimit të naftës dhe derivateve të saj, me qëllim lehtësimin e barrës financiare mbi qytetarët.
Sipas PLD-së, vendimi i KRRE-së nuk është i papritur duke pasur parasysh zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe ndërhyrjen ushtarake në Iran, situatë që ka ndikim edhe në vendet e rajonit.
Megjithatë, nga kjo parti kritikojnë reagimin e Qeverisë, duke vlerësuar se ajo po vepron e papërgatitur, edhe pse vetëm dhjetë ditë më parë kishte deklaruar se nuk ekziston rrezik për vendin.
PLD thekson se në bursat botërore çmimi i një fuçie nafte bruto tashmë ka tejkaluar 100 dollarë, prandaj kërkon nga Qeveria, Ministria e Energjisë dhe institucionet e tjera kompetente të ndërmarrin masa konkrete për të mbështetur qytetarët.
Në këtë drejtim, partia propozon uljen e përkohshme të akcizës për importin e karburanteve, si dhe vendosjen e subvencioneve dhe masave shtesë, me qëllim zbutjen e shpejtë të goditjes nga rritja e çmimeve, veçanërisht në kushtet e inflacionit të lartë dhe rritjes së vazhdueshme të kostos së jetesës.