Limani pas fotografisë me Ahmetin: Në iftar jemi një, ka përpjekje të hapur dhe përjashtuese ndaj meje, nuk rri duarkryq
Fatmir Limani ka reaguar publikisht pas deklaratës së kryetarit të Tetovës dhe njërit prej drejtuesve të VLEN-it, Bilall Kasami, i cili mes tjerash tha se do të shqyrtojë shkarkimin e Limanit pasi ishte në një tryezë iftari ku ishte edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Në reagimin e tij, Limani thekson se prania në një sofër iftari nuk duhet të shndërrohet në dilemë politike, duke theksuar se ishte i ftuar si ministër dhe se mikpritësi është ai që përcakton rendin e sofrës.
Sipas tij, në kulturën shqiptare tryeza e iftarit është simbol respekti dhe bashkimi, dhe jo vend për përplasje politike.
“Në një tryezë mikpritjeje nuk shkohet për të bërë kalkulime politike dhe për të prishur sofrën, por për të respektuar traditën, mikpritjen dhe momentin e përbashkët njerëzor. Sofra nuk është vend për ndarje, por për respekt”, ka shkruar Limani.
Ai shtoi se një fotografi apo prania në një ambient të përbashkët nuk e ndryshon historinë e qëndrimeve politike të askujt dhe se qëndrimet e tij kanë qenë gjithmonë publike dhe të qarta.
Limani foli edhe për zhvillimet brenda koalicionit VLEN, duke thënë se ndaj tij po zhvillohet një përpjekje për përjashtim politik.
“ Nuk është sekret që brenda VLEN-it, zhvillohet një luftë me bërryla për të zëvendësuar me figura anonime, protagonistët kryesorë që realizuan projektin e bashkimit. Në rrethana të tilla, askush nuk mund të presë që unë të qëndroj duarkryq. Sepse unë jam njeri i tavolinave jo i bodrumeve”, u shpreh ai.
Reagimi i Limanit vjen pasi më herët Bilall Kasami tha se Limani nuk ishte i deleguar nga VLEN në iftarin e organizuar në Tiranë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kërkoi që ai të sqarojë publikisht arsyen e uljes në një tavolinë me Ali Ahmeti.
Kasami paralajmëroi gjithashtu se në kuadër të VLEN-it mund të hapet diskutim për pozicionin e Limanit në koalicion.