(VIDEO) Punëtorët në rrugë, kërkojnë paga më të larta dhe standard më të mirë jetese
Sot rrugët e Shkup u mbushën me zërin e punëtorëve dhe qytetarëve të cilët kërkojnë që paga minimale të rritet në 600 euro dhe rritje lineare të të gjitha pagave të tjera për të paktën 100 euro, përderisa rritja e kostos së jetesës ushtron gjithnjë e më shumë presion mbi buxhetet familjare. Me pankarta në duar, muzikë dhe thirrje për drejtësi sociale, qindra protestues iu bashkuan protestës së organizuar nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë. Tubimi filloi para selisë së sindikatës, ku pas fjalimit të kryetarit të Lidhjes së Sindikatave, Sllobodan Trendafilov, turma marshoi drejt institucioneve shtetërore për ta përcjellë mesazhin e tyre, fillimisht tek Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, më pas tek Oda Ekonomike, për ta përmbyllur protestën para Qeverisë, ku sindikata planifikoi t’ua drejtonte kërkesat e saj kryesore vendimmarrësve dhe punëdhënësve.
Trendafilov duke iu drejtuar të pranishmëve tha se rritja e pagës minimale nuk është çështje vullneti të mirë, por kompensimi i merituar për punën e punëtorëve, pasiqë pagat nuk kanë ecur me ritmin e rritjes së çmimeve për një kohë të gjatë. Ndërkaq, punëtorë nga sektorë të ndryshëm dhe nga disa qytete të vendit iu bashkuan protestës. Disa prej tyre, sipas Trendafilov, u ekspozuan ndaj presionit dhe kërcënimeve për të mos marrë pjesë në protestë, por prapë vendosën të dalin dhe të mbështesin iniciativën sindikale.
Sllobodan Trendafilov, kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë
“Pavarësisht të gjitha kërcënimeve dhe presioneve, ju keni treguar se nuk keni frikë. Lufta sindikale për paga më të larta, filloi në fund të janarit dhe do të vazhdojë derisa të sigurohet një standard më i lartë jetese për punëtorët. Përveç një page minimale prej 600 eurosh, LSM kërkon edhe një rritje të pagave të punëtorëve të tjerë me të paktën 6,000 denarë”.
Ndërkaq edhe të pranishmit të cilët e përkrahin fuqishëm këtë protestë, pohojnë se nuk do të ndalojnë së kërkuari atë që I’u takon dhe se nuk do të lëshojnë pe deri në fund. Ata thonë se janë prezent aty për të gjitha punët e papaguara në të kaluarën, posaçërisht të punësuarit në sektorin privat.
TOMISLLAV GIEVSKI, SINDIKATA E PAVARUR E ARSIMIT
“Nuk dorëzohemi, nuk lëshojmë pe, atë që e kemi vendosur, atë që e kemi synim, ajo që na takon është e jona, do ta marrin në një mënyrë ose tjetër. Mënyra në të cilën do të vazhdojmë është kjo dhe nuk do të lëshojmë pe deri në fund”.
IVAN PESHEVSKI, SINDIKATA E NDËRTIMTARISË
“Këtu jemi për të gjitha pagat e 13-ta të papaguara, për të gjitha punët e papaguara në të kaluarën, për shtesat e pagave, kompensimet e pagave, posaçërisht të punësuarit në sektorin privat, na kanë pirë gjakun me pambuk dhe gjithçka ju duket pak. Do të vazhdojmë edhe shumë herë para Odës Ekonomike, Qeverisë, Kuvendit, derisa të arrijmë qëllimin tonë”.
Sipas sindikatës, rritja e vazhdueshme e çmimeve të ushqimit, energjisë dhe produkteve bazë po e rëndon seriozisht buxhetin e brendshëm të qytetarëve, prandaj është e domosdoshme një rritje më e madhe e pagave. Ku me marshimin nëpër institucione, sindikatat dërguan një mesazh se as ekonomia dhe as shteti nuk mund të funksionojnë pa punën e punëtorëve. Sipas tyre, përmirësimi i standardit të punës nuk është vetëm një çështje sindikale, por edhe një parakusht kyç për një shoqëri të qëndrueshme.