Hyn në fuqi ligji për të huajt, leje qëndrimi 12 muaj për serbët pa dokumente të shtetit të Kosovës
Sot ka hyrë në fuqi zbatimi i plotë i ligjit për të huajt në Kosovë, ndërsa BE dhe autoritetet në Prishtinë kanë rënë dakord për disa masa shtesë që zbusin efektet e tij për pjesëtarët e komunitetit serb pa dokumente kosovare.
Marrëveshja synon të lehtësojë situatën për qytetarët që jetojnë në Kosovë, por që nuk janë të pajisur me dokumente të lëshuara nga autoritetet në Kosovë.
Sipas vendimit të ri, këta qytetarë do të mund të pajisen me leje të përkohshme qëndrimi për një periudhë të paktën 12 mujore. Gjatë kësaj kohe, atyre do t’u lejohet të përdorin si dokument identifikimi letërnjoftimet e lëshuara nga autoritetet serbe deri më 15 mars 2026.
Marrëveshja u përshëndet nga i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, gjatë një konference për shtyp në Prishtinë me ambasadorin e BE-së Aivo Orav dhe kryeministrin Albin Kurti.