(VIDEO) MPJ: Përfundoi evakuimi i të gjithë qytetarëve maqedonas të regjistruar
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme informon se me fluturimin e djeshëm, evakuimi i të gjithë qytetarëve nga vendet e Lindjes së Mesme, të cilët ishin regjistruar dhe kishin shprehur gatishmëri për evakuim, ka përfunduar plotësisht. Me fluturimin e fundit, të pestë, që zbarkoi dje në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, nga ministria thonë se u evakuuan gjithsej 147 pasagjerë, nga të cilët 119 ishin shtetas të vendit dhe 28 ishin shtetas të huaj.
MARKETING

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme
“Në këtë mënyrë, shteti tregoi gatishmërinë e tij për të reaguar në kohë në situata krize, për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve maqedonas, por edhe për të treguar solidaritet me qytetarët nga vendet mike në rajon dhe më gjerë”.
Këto janë fluturime të organizuara çarter, ku të gjitha shpenzimet për zbatimin e tyre i mbulon shteti. Me realizimin e këtyre fluturimeve, numri i përgjithshëm i qytetarëve të evakuuar arriti në 605. Ministria thekson edhe një herë se siguria e qytetarëve është përparësia më e lartë, gjë që konfirmohet nga fakti se evakuimi i të gjithë qytetarëve që shprehën interes për t’u kthyer në vend ka përfunduar plotësisht. Gjithashtu informojmë se numri i telefonit SOS në detyrë, si dhe kontaktet e përfaqësive diplomatike dhe konsullore, mbeten në dispozicion të qytetarëve.
Anida Murati /SHENJA/