(VIDEO) Shoqata Joqeveritare “Dentosophia”, aktivitet për vetëdijesimin e qytetarëve për shëndetin e dhëmbëve
Larja e dhëmbëve të paktën dy herë në ditë, përdorimi i perit dental pas larjes, konsumimi i ushqimit të shëndetshëm, hidratimi, vizita të rregullta te dentisti dy herë në vit. Këto janë porositë e stomatologëve, për mirëmbajtjen e shëndetit oral.
MARKETING

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Shëndetit Oral e cila është më 20 mars, shoqata joqeveritare “Dentosophia” organizoi aktivitet, duke vendosur një stendë informative dhe një ekspozitë, për të informuar qytetarët dhe për të ngritur vetëdijen e tyre për rëndësinë e mirëmbajtjes së shëndetit oral dhe se çfarë sëmundjesh mund të paraqiten në rast se nuk kujdesemi për të.
ANISA PLAKAJ, KRYETARE E SHOQATËS JOQEVERITARE “DENTOSOPHIA”
“Meqë kemi rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shëndetit Oral, kemi vendosur të bëjmë një aktivitet të tillë ku do t’i informojmë qytetarët se çfarë është shëndeti oral, si duhet ta mirëmbajnë, çfarë duhet të bëjnë, si duhet të mbahet higjiena e gojës, a është e mjaftueshme të lahen dhëmbët njëherë apo dy herë në ditë, a është e mjaftueshme vetëm të lahen dhëmbët”.
Problemi që më së shpeshti e hasin stomatologët gjatë punës së tyre është moslarja e dhëmbëve.
Miran Ismaili, stomatolog
“Moslarja e dhëmbëve, aty dhe fillon gjithçka, ashtu siç e përmenda. Nga akumulimi i pllakut dentar dhe mos larja e të njejtës, ajo bënë që ne të kemi probleme të ardhshme, ashtu siç mund të fillon edhe prishja e dhëmbëve…Mirëmbjatja e higjienës dentale, ose larja e dhëmbëve është pikënisja e gjithëçkaje që ne të kemi një trup të shëndoshë”.
“Dentosophia” është organizatë joqeveritare e krijuar nga studentë të stomatologjisë, që ka për qëllim t’i mbledh të gjithë studentët në një, të bëjë një trup studentor të stomatologjisë dhe të bëjë aktivitete të cilat do ju ndihmojnë atyre në pjesën teorike, por edhe në atë praktike. Ndërsa thonë se janë të hapur për studentët e të gjitha universitetet.
Emine Ismaili /SHENJA/