Haxhiu: Bombardimet e NATO-s mbi objektivat serbe ndryshuan rrjedhën e historisë së Kosovës
Kryetarja e kuvendit Albulena Haxhiu ka kujtuar 24 marsin e vitit 1999, ditën kur NATO-ja nisi bombardimet ndaj caqeve ushtarake serbe.
Ajo ka thënë se bombardimet e NATO-s mbi objektivat serbe ndryshuan rrjedhën e historisë së Kosovës.
Postimi i plotë:
Sot kujtojmë 24 marsin 1999, kur bombardimet e NATO-s mbi objektivat serbe ndryshuan rrjedhën e historisë së Kosovës.
Si përgjigje ndaj ciklit të dhunës që kishte marrë trajtë gjenocidi dhe politikave të regjimit të Millosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës, 19 vende të NATO-s, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nisën fushatën ajrore mbi caqet policore dhe ushtarake serbe për 78 ditë.
Gjatë kësaj periudhe, ndërhyrja e NATO-s nga ajri dhe qëndresa e UÇK-së në terren u ndërthurën në një çast përcaktues për Kosovën.
Nderojmë, me mirënjohje, rolin vendimtar të NATO-s, sakrificën e UÇK-së dhe të gjithë atyre që kontribuan për lirinë e Kosovës.
Jemi përherë falënderues për mbështetjen e miqve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë që nuk na lanë vetëm në momentet më të vështira.