
Pas 9 vite në “Old Traford”, largohet sulmuesi francez nga “Djajtë e Kuq”
Sulmuesi francez Antoni Marsial te Man. Junajted mund të përfundojë qëndrimin te “Djajtë e Kuq” verën e ardhshme, nëntë vjet pas ardhjes së tij për 60 milionë euro nga Monako. Kontrata e 28-vjeçarin skadon këtë verë dhe duket se klubi nuk ka ndërmend t’ia rinovojë atë.
Junajted ka kohë që dëgjon propozimet e klubeve të interesuara dhe do të kishte dashur që në janar të rikuperonte të paktën një pjesë të vogël të investimit të bërë në vitin 2015, por lojtari nuk donte të largohej. Për pasojë, ai mund të lërë “Djajtë e Kuq” me parametrin zero.
Marsial ka refuzuar qasjet nga disa klube, duke përfshirë Fenerbahçe në Turqi dhe disa skuadra të Arabisë Saudite. Por ai vendosi të qëndrojë dhe të luftojë për vendin e tij në ekipin e Erik ten Hag. Këtë sezon, sulmuesi ka luajtur 19 ndeshje në të gjitha garat, me dy gola dhe dy asistime.
Francezi ka luajtur si titullar vetëm shtatë herë dhe nuk ka qenë në fushë që nga 9 dhjetori, në ndeshjen kundër Burnemautit, për shkak të një operacioni në ije. Disa skuadra të Ligue 1 po ndjekin gjurmët e tij, si Monako dhe Marseja, që synojnë sulmuesin francez.