LSDM: Ulja e TVSH-së nuk po jep efekt, çmimet vazhdojnë të rriten
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) në një kumtesë për media deklaron se kishte paralajmëruar Qeverinë dhe kryetarin e saj Venko Filipçe se ulja e TVSH-së nga 18% në 10% nuk do të prodhonte efektet e pritura.
MARKETING

Sipas LSDM-së, vetëm një ditë pas konferencës së kryeministrit Hristijan Mickoski, ku u promovua masa, çmimi i naftës ka shënuar rritje të re, duke arritur në 95.5 denarë për litër.
Nga kjo parti akuzojnë se masat e Qeverisë janë të pamjaftueshme dhe të paefektshme, duke e cilësuar Mickoskin si të paaftë për të menaxhuar situatën ekonomike. Ata shtojnë se ose bëhet fjalë për mungesë kapaciteti, ose për mbrojtje të interesave të bizneseve private.
Sipas LSDM-së, pasojat tashmë janë të dukshme në treg: çmimi i vajit të gatimit ka kaluar 100 denarë, vezët mbi 300 denarë, ndërsa frutat, perimet dhe mishi kanë pësuar rritje të ndjeshme. Ata theksojnë se kostoja e jetesës po rritet, ndërsa pagat mbeten të pandryshuara.
“Gjithçka është më e shtrenjtë, çmimet po rriten dhe pagat nuk po lëvizin. Edhe një pagë prej 600 eurosh nuk mjafton për të përballuar muajin”, thuhet në reagim.
LSDM kërkon që Qeveria të braktisë, siç e quajnë, “shpërqendrimin” dhe të pranojë masat e propozuara nga opozita, përfshirë uljen e TVSH-së për karburantet në 5%, uljen e akcizave, heqjen e TVSH-së për produktet bazë ushqimore dhe përgjysmimin e taksave rrugore.